Dje në lagjen Vizbeg, në një arë të mbjellë me grurë, shpërtheu zjarr.
Pranë arës gjendet një hotel, ndërsa zjarri përfshiu rrethojën e pishinës aty.
U dogjën disa drurë dhe karrige.

Pronari Baki Zeqiri i tha TV21 se dyshon që zjarri ka nisur si pasojë e deponisë së egër që po digjej disa qindra metra larg.

Zeqiri kishte kritika edhe për mënyrën se si zjarrfikësit ndërhynë në këtë situatë.

Nga QMK treguan dje se Brigada e Mbrojtjes nga Zjarri e Qytetit të Shkupit ndërhyri dy herë, pas çka QMK dërgoi një kërkesë të re për masa urgjente – duke përfshirë vendosjen e mbikëqyrjes, mbulimin e materialit të ndezshëm dhe ndalimin e hedhjes së mëtejshme të mbeturinave.

Zjarri tani është lokalizuar dhe nuk paraqet ndonjë rrezik, thanë nga QMK, por duke u bërë thirrje institucioneve kompetente që urgjentisht të ndërmarrin hapa konkretë dhe t’i japin fund problemit me deponitë e paligjshme, të cilat paraqesin një rrezik të menjëhershëm për mjedisin dhe shëndetin publik. Shtuan se edhe gjatë javës së kaluar, Brigada zjarrfikëse e Qytetit të Shkupit ka ndërhyrë disa herë për të shuar një deponi të paligjshme që digjej në të njëjtin vend.