Kryetari i Lëvizjes ZNAM, njëherë edhe kryetari aktual i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, theksoi se deri në mesin e korrikut partia e tij do t’i shpallë kandidatët për kryetarë komunash. Ai bëri të ditur se në vendet ku ZNAM do të ketë kandidatë të vet për kryetarë komunash, VMRO-DPMNE do të marrë përsipër t’i mbështesë ata që në raundin e parë – dhe anasjelltas. Ai theksoi se do të mbështesnin një kandidat të VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit, por se kjo varet nga emri i kandidatit dhe nga marrëveshja politike mes partive.

“Kjo do të thotë se aty ku ZNAM do të ketë kandidat të vet për kryetar komune, partnerët tanë nga VMRO-DPMNE do të marrin përsipër ta mbështesin që në raundin e parë. Në vendet e tjera ku partnerët tanë do të kenë kandidat, ZNAM me anëtarësinë dhe mbështetësit e vet do t’i mbështesë kandidatët e tyre. Këtu flasim ekskluzivisht për kandidatë që janë njerëz cilësorë, të dëshmuar në fushën e tyre të veprimit dhe të njohur për publikun. Për emrat do të flasim vetëm pasi të përfundojë epilogu i negociatave me partnerët tanë politikë”, tha Maksim Dimitrievski – kryetar i Lëvizjes ZNAM.