Opinion nga Liridona Beqiri
Agjenda reformuese e Maqedonisë së Veriut është shndërruar në dokument që funksionon me një qëndrueshmëri shqetësuese në moszbatim, në një dokument që ekziston më shumë si alibi sesa si orientim. Ajo është bërë formë pa përmbajtje, rit pa lëvizje. Arkitektura politike e ndërtuar nga qeverisja aktuale funskionon në mënyrë ku realiteti dhe retorika bashkëjetojnë duke ecur në rrugë paralele!
Kjo logjikë qeverisëse arriti ti nyjeton në mënyrë të shtrembër marrëdheniet ndërkombëtare, por edhe me vendet fqinje, gjë që përkon me distancën e këtij vendi nga mesatarja europiane në çdo pikëpamje. Kjo strukturë politike luan rolin etik të pritjes për “vagon europian” ndërsa vetes i përshpërit një retorikë që e paraqet si mishërim të shenjës ‘Jo Evropës’! Është një qeverisje me europianizëm verbal dhe një provincalizëm funksional, ku ligjet shkruhen me ton të Evropës, por zbatohen me logjikë të provincës.
Marrëdhënia me Brukselin është shndërruar në një liturgji politike: fjali të njëjta, shpresa të ricikluara, dhe një pritje pa busull..!
Në këtë teatër të mirëorganizuar institucional midis deklarimit dhe realizimit, vërejtjet evropiane, përfshirë dhe ato të Thomas Waitz, janë diagnoza të një sistemi që ka mësuar të prodhojë reforma si gjuhë, por jo si sjellje shtetërore. Janë konfirmim i mungesës së transformimit real institucional. Goditja është e thjeshtë dhe e prerë: një agjendë reformuese që përsëritet pa prodhuar sistem të qëndrueshëm nuk është më plan zhvillimi por mënyrë e menaxhimit të stagnimit.
Në këtë kontekst, ndryshimet kushtetuese janë një provë lakmusi për seriozitetin e kësaj qeverie, dhe ajo po dështon ta kalojë. Qeveria aktuale ka zgjedhur një komoditet të rrezikshëm, një paralizë e kamufluar si strategji.
Maqedonia e Veriut nuk është më vend i tranzicionit. Është vend i tranzicionit të institucionalizuar. Një shtet që jeton në një paradoks të qëndrueshëm duke e institucionalizuar pritjen. Dhe kjo është faza më e sofistikuar e stagnimit, kur stagnimi nuk ndihet më si problem, por si normalitet i menaxhuar mirë.
Nga këtu, Evropa mbetet referencë pa gravitet. Një pikë orientimi që nuk tërheq më, vetëm kujton distancën.
Dhe megjithatë Evropa nuk është premtim i jashtëm. Është një pasqyrë e brendshme.. Një pasqyrë që nuk zbukuron, nuk zbut, nuk negocion por vetëm kthen mbrapsht atë që është. Një pasqyrë reflektuese që kërkon guximin ta shohim veten pa retushim!
