Reperi i njohur shqiptar, Capital T, ka reaguar publikisht pas përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë protestave në Tiranë, të njohura si “Revolucioni i Flamingos”. Artisti ka dënuar përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve, duke bërë thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për përgjegjësi institucionale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka shprehur shqetësimin për incidentet e raportuara gjatë protestave, ku disa të rinj raportohet se kanë mbetur të lënduar pas përplasjeve me policinë.
Reperi ka theksuar se e drejta për të protestuar dhe për të shprehur lirshëm pakënaqësitë duhet të respektohet, ndërsa ka kundërshtuar çdo formë të brutalitetit policor.
“Dënojmë ashpër çdo akt dhune dhe brutaliteti policor ndaj qytetarëve. Dhuna nuk mund të jetë kurrë përgjigje ndaj protestës dhe shprehjes së lirë”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, artisti është ndalur edhe te përgjegjësia e institucioneve të rendit për të garantuar sigurinë e qytetarëve gjatë tubimeve publike.
Sipas tij, policia duhet të jetë garantuese e sigurisë dhe dinjitetit të çdo individi, duke shmangur veprimet që mund të shkaktojnë frikë apo të cenojnë të drejtat themelore.
“Policia duhet të garantojë sigurinë dhe dinjitetin e çdo qytetari, jo të shkaktojë frikë dhe dhunë. Respekt për të drejtat e njeriut, drejtësi dhe përgjegjësi për çdo akt dhune”, ka theksuar reperi.
Përmes këtij mesazhi, Capital T ka kërkuar që çdo rast i dhunës së raportuar të trajtohet me përgjegjësi, duke vënë në qendër mbrojtjen e qytetarëve dhe respektimin e lirisë së shprehjes.
The post Capital T reagon pas protestave të dhunshme në Tiranë appeared first on Veriu.info.
