Celine Dion u shfaq për herë të parë në një kohë të gjatë në publik, teksa mori pjesë në koncertin e Paul McCartney në Las Vegas, e shoqëruar nga tre djemtë e saj.

Këngëtarja 57-vjeçare, e cila prej disa vitesh përballet me sindromën e personit të ngurtë, u pa e emocionuar dhe plot energji ndërsa këndonte e duartrokiste nga turma, duke shijuar performancën e legjendës së Beatles në stadiumin “Allegiant”.

Artistja kanadeze, e njohur për hitet “My Heart Will Go On” dhe “Power of Love”, shijoi mbrëmjen pranë djemve të saj, Rene-Charles, 23 vjeç, dhe binjakëve Nelson e Eddy, 14 vjeç, me të cilët dukej se kaloi momente të ngrohta familjare, shkruan DailyMail.

E veshur thjeshtë me të zeza dhe me një buzëqeshje të qetë në fytyrë, Celine dëshmoi se mbetet e fortë dhe optimiste përballë sfidës së saj shëndetësore.

Që prej vitit 2022, Dion ka folur hapur për diagnozën e saj me sindromën e personit të ngurtë, një çrregullim i rrallë neurologjik që shkakton ngurtësi dhe spazma të dhimbshme muskulore, duke ndikuar madje edhe në aftësinë e saj për të kënduar.

Megjithatë, ajo ka theksuar disa herë se po punon çdo ditë me terapistët për të rifituar forcën dhe për të mos hequr dorë nga muzika.

Në intervista të fundit, këngëtarja është shprehur se po përqendrohet te procesi i shërimit dhe se ndien “rikthimin e lumturisë”, ndërsa premton se do të rikthehet në skenë sapo të ndihet gati.

Paraqitja e saj e fundit në Las Vegas dëshmoi një Celine Dion të fortë, të buzëqeshur dhe të rrethuar nga dashuria e familjes, një imazh shprese për miliona fansa në mbarë botën.