Ndalimi i Besart Kelmendit në mes të Prishtinës me dyshimin për armëmbajtje pa leje ka ngritur një pyetje të madhe te publiku: çfarë rrezikon realisht artisti pas këtij incidenti?
Nëse i hedhim një sy Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra për të cilën ai po mbahet në ndalim policor prej 48 orësh ka sanksione mjaft të qarta. Për mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ligji parasheh dy skenarë kryesorë. Skenari i parë është një dënim i majmë me gjobë që mund të arrijë deri në 7,500 euro, ndërsa i dyti është dënimi me burgim që mund të shkojë deri në plot pesë vjet. Ndonëse këto shifra duken të ashpra në letër, praktika gjyqësore në Kosovë shpesh tregon një qasje më të butë. Në rastet e armëmbajtjes së thjeshtë, kur mjeti nuk është përdorur për të kryer ndonjë vepër tjetër penale dhe nuk ka rrethana të tjera rënduese, gjykatat zakonisht priren të shqiptojnë dënime me gjobë ose dënime me kusht.
Masa e ndalimit që po kalon aktualisht këngëtari është thjesht një procedurë standarde hetimore. Kjo periudhë i jep kohë Prokurorit të Shtetit të vlerësojë provat nga terreni dhe të marrë vendimin nëse rasti do të shkojë në procedurë të rregullt apo do të kërkohen masa të tjera. Mbetet të shihet nëse Gjesti do t’ia hedhë vetëm me një faturë të kripur financiare dhe një mësim të mirë, apo nëse rasti do të kërkojë një betejë më të gjatë ligjore.
Sytë janë të gjithë te vendimi që do të pasojë pas skadimit të këtij afati.
The post Çka e pret Gjestin pas ndalimit policor? Ja çfarë parasheh ligji për veprën në fjalë appeared first on Veriu.info.
