Ish-missi dhe këngëtarja e njohur, Drenusha Latifi, ka reaguar publikisht ndaj këngëtares dhe deputetes së Kuvendit të Kosovës, Edona Llalloshi, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Latifi e ka kritikuar Llalloshin për atë që e cilëson si mungesë të reagimit publik për rastin e Arlindës, duke vënë në pikëpyetje edhe angazhimin e saj si anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në Kuvendin e Kosovës.

“Edona Llalloshi, për vete mbrojtje, për Arlindën heshtje!”, e ka nisur reagimin e saj Latifi.

Ajo ka pretenduar se, në një rast të mëparshëm, kur Llalloshi kishte kërkuar mbrojtje, institucionet kishin ndërmarrë veprime, ndërsa ka krahasuar këtë situatë me rastin e Arlindës, e cila humbi jetën pasi, sipas raportimeve, kishte kërkuar ndihmë nga institucionet.

“Kur ti kërkove mbrojtje, institucionet vepruan dhe bashkëshorti yt u arrestua disa herë. Arlinda kërkoi mbrojtje, por përfundoi e vrarë”, ka shkruar ajo.

Drenusha më tej ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë publike të Llalloshit në kuadër të detyrës së saj parlamentare.

“Ti je anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore. Çfarë vlere ka kjo pozitë nëse zëri yt nuk dëgjohet kur gratë vriten? Pushteti nuk është privilegj për veten, por përgjegjësi për t’i mbrojtur ato që nuk kanë zë”, ka shkruar këngëtarja.

Në fund të reagimit, Latifi ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas saj, po funksionon përfaqësimi në Kuvendin e Kosovës, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë ndaj deputetes.

“Parlamentin e keni bo sfilat, defilim, pos unë në vakt Missllakun tem e kom majt kshtu ani ju Pharlamentin. A je tu e qalldis najkah…..!”, ka përfunduar ajo.

Reagimi i Drenusha Latifit vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor. Rasti ka nxitur reagime të shumta publike, ndërsa më 28 tetor në Prishtinë u mbajt protestë për të kërkuar drejtësi për të ndjerën dhe përgjegjësi institucionale për dështimin në mbrojtjen e saj.

Drenusha Latifi është e njohur për publikun edhe nga pjesëmarrja e saj në edicionin e tretë të “Big Brother VIP Kosova”. Ndërkaq, Edona Llalloshi, përveç karrierës muzikore, aktualisht ushtron mandatin e deputetes dhe është anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione. /Telegrafi/

The post Drenusha Latifi i reagon ashpër Edona Llalloshit: Për Arlindën heshtje, a kur ti kërkove mbrojtje, institucionet vepruan dhe bashkëshorti yt u arrestua disa herë appeared first on Veriu.info.