Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, para gjykatës ka deklaruar se veprimet për të cilat dyshohet i ka kryer në gjendje emocionale dhe ka kërkuar falje për rastin.

Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjesti ka kërkuar falje të dëmtuarit dhe gjykatës, duke thënë se gjithë veprimet e tij i ka ndërmarrë në afekt.

“Pajtohem me deklarimin e avokatit tim, dua ta njoftoj gjykatën se jam në ankth, kam vepruar në gjendje të afektit. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit si dhe palës së dëmtuar”, ka deklaruar Kelmendi gjatë seancës.

Ndërkohë, mbrojtja e tij ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati i Kelmendit ka deklaruar se, sipas përvojës jetësore dhe psikologjisë, kur një person reagon në mënyrë impulsive, zakonisht pas një kohe të shkurtër nuk ekziston rreziku që veprimi i njëjtë të përsëritet.

Sipas tij, duhet të merret parasysh edhe fakti se për këtë rast është bërë bujë e madhe publike dhe se i dyshuari është në dijeni se ndaj tij po zhvillohet hetim.

Mbrojtja ka theksuar gjithashtu se, në bazë të nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, i cili përcakton parimin e proporcionalitetit në caktimin e masave të sigurisë, paraburgimi nuk do të ishte masë proporcionale. Sipas Artan Qerkinit, avokat mbrojtës i Gjestit, për dy veprat e para për të cilat dyshohet Kelmendi parashihet dënim deri në një vit burgim ose edhe gjobë.

Po ashtu, mbrojtja ka njoftuar gjykatën se klienti i tyre është i gatshëm të hyjë në marrëveshje për pranimin e fajësisë, duke theksuar se kjo do të zbutte rreziqet procedurale.

Avokati Qerkini ka shtuar se caktimi i paraburgimit do të rëndonte edhe gjendjen financiare të Kelmendit, duke theksuar se ai për një kohë nuk ka performuar për shkak të çështjeve familjare dhe nuk i ka marrë të hyrat nga kompania “Onima” në mënyrë të rregullt.

Megjithatë, Gjykata Themelore në Prishtinë, pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit është e bazuar. Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se Besart Kelmendi ka kryer veprat penale të përshkruara në aktvendimin për fillimin e hetimeve dhe në kërkesën për paraburgim, si dhe rreziku i ikjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji këngëtarit Besart Kelmendi, i dyshuar për veprat penale kanosje, dëmtim të pasurisë dhe mbajtje pa leje të armës.

Sipas dokumenteve të gjykatës, gjatë arrestimit tek i pandehuri është sekuestruar një armë Radikal RP-X9, kalibër 9 mm, me numër serie TK 934-24A02839, si dhe një karikator me 14 fishekë të kalibrit 9×19 mm.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 11 mars 2026, rreth orës 14:50, në ambientet e studios “Onima” në Veternik të Prishtinës.

Sipas deklarimeve të dëshmitarëve të dhëna në polici, Kelmendi kishte hyrë në objekt dhe kishte filluar të kërkonte drejtorin e kompanisë. Dëshmitari me inicialet A.K. ka deklaruar se i dyshuari kishte kërkuar që të thirrej drejtori dhe kishte kërcënuar se do t’i thyejë kompjuterët nëse ai nuk paraqitet. Në një moment, sipas tij, Kelmendi kishte goditur një kompjuter dhe më pas kishte nxjerrë një armë nga çanta, të cilën e kishte mbajtur në dorë për një kohë të shkurtër dhe më pas e kishte futur në xhep.

Dëshmitari E.H. ka deklaruar se kishte dëgjuar britma dhe zhurmë në objekt dhe pasi kishte dalë jashtë kishte parë Kelmendin. Ai ka thënë se është munduar ta qetësojë dhe ta dërgojë në zyrë, por sipas tij, i dyshuari vazhdonte të bërtiste dhe të kërkonte pronarin e kompanisë, duke e kërcënuar se do ta vriste.

Ndërkohë, dëshmitarja L.S. ka deklaruar se e kishte parë Kelmendin duke u thënë punëtorëve të largohen dhe më pas duke i thyer kompjuterët, ndërsa njërin prej tyre e kishte shkelmuar. Sipas saj, ai mbante armë në dorë dhe thoshte se do ta shkatërronte objektin, ndërsa kishte thyer edhe disa xhama gjatë incidentit.

Edhe dëshmitarja E.H. ka deklaruar se gjatë kohës që ishte në punë kishte dëgjuar kërcënime në drejtim të drejtorit të kompanisë, duke thënë se nëse ai nuk paraqitet menjëherë do ta vriste dhe do t’i thyente të gjitha pajisjet.

Për këto arsye, gjykata ka vendosur që Besart Kelmendit t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muaji, e cila llogaritet nga 11 marsi deri më 9 prill 2026.

Betimi për Drejtësi ka raportuar të enjten, më 13 mars 2026, se e gjithë ngjarja ka ndodhur pranë zyrave të studios “Onima”, e që shkak dyshohet të jetë mosmarrëveshja rreth një borxhi paraprak, ku këngëtari me armë në dorë ka shkuar në zyrat e studios dhe kërkoi të dëmtuarin E.Sh., duke iu drejtuar stafit me fjalët “ku o se kam me vra”.

Betimi për Drejtësi ka raportuar të enjten, më 13 mars 2026, se e gjithë ngjarja ka ndodhur pranë zyrave të studios “Onima”, e që shkak dyshohet të jetë mosmarrëveshja rreth një borxhi paraprak, ku këngëtari me armë në dorë ka shkuar në zyrat e studios dhe kërkoi të dëmtuarin E.Sh., duke iu drejtuar stafit me fjalët “ku o se kam me vra”.

Ndryshe, Policia të mërkurën konfirmoi arrestimin e Gjestit. Ndërkaq, Prokuroria njoftoi se ai u ndalua për 48 orë dhe dyshohet për tri vepra penale./BetimipërDrejtësi

The post Gjesti në Gjykatë deklaron se kishte vepruar në gjendje afekti, avokati thotë se është i gatshëm të hyjë në marrëveshje për pranim fajësie appeared first on Veriu.info.