Në fotografitë dhe videot e publikuara në profilin e saj në Instagram, Xhemajli shihet duke pozuar me çanta të markave të shtrenjta, përfshirë Hermes dhe Dolce & Gabbana. Në njërën prej fotografive, të publikuar nga Amsterdami, ajo shfaqet me një çantë portokalli të markës Hermes dhe një tjetër të Dolce & Gabbana, para dyqaneve luksoze në këtë qytet.

Ndërkaq, në disa publikime të tjera, ajo shfaqet pranë veturave luksoze, përfshirë një veturë të markës Audi dhe një tjetër Porsche. Në njërin prej postimeve, të publikuar në gusht të vitit 2025, ajo e kishte shoqëruar fotografinë me mbishkrimin “For every battle I’ve won, I gift myself more #newcar” (Për çdo betejë që kam fituar, i bëj vetes një dhuratë më shumë – veturë të re), raporton Veriu.info.

Por, përtej imazhit luksoz që shfaqte në rrjetet sociale, emri i saj tashmë është pjesë e një dosjeje të rëndë penale që lidhet me dyshimet për trafikim dhe shpërndarje të kokainës.

Veriu.info ka raportuar më herët se Albana Xhemajli është njëra nga gjashtë personat e arrestuar në operacionin “Heshtja”, ku u arrestua edhe ish-ministri Astrit Haraqija.

Bashkëjetuesja e Stanovcit dyshohet se ishte “arkëtarja” e grupit të arrestuar për kokainë, ja kur mblidheshin paratë

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga Veriu.info, Xhemajli dyshohet se bashkëjetonte me Jeton Stanovcin, i cili dyshohet si drejtues i grupit.

Prokuroria pretendon se ajo kishte rolin e mbledhjes së parave nga shitjet e narkotikëve që kryheshin nga disa prej të dyshuarve. Sipas dosjes, barazimet e pagesave për sasitë e shitura dhe shpërndara bëheshin çdo të diele.

Në operacionin “Heshtja”, Policia kishte sekuestruar 1.6 kilogramë kokainë, me vlerë të përllogaritur rreth 111 mijë euro, si dhe gjashtë vetura të markave të ndryshme.

Megjithatë, fotografitë e publikuara në Instagram dhe shfaqja e një stili jetese luksoz nuk dëshmojnë se pasuria apo blerjet e saj kanë burim aktivitetin e dyshuar kriminal.

Albana Xhemajli, sikurse personat e tjerë të përfshirë në këtë rast, gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./Veriu.info/

The post Nga veturat e reja luksoze te shopping-u në Hermes – jeta e 26-vjeçares që dyshohet se ishte “arkëtarja” e grupit të kokainës appeared first on Veriu.info.