Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-miss Kosova, Zana Berishës për shantazh dhe zhvatje ndaj biznesmenit, I.J. Aktakuza të cilën një kopje të saj e posedon “Epoka e re”, mbanë datën e protokollit 30.07.2024 me numër: PP/II/nr.1841-3/23. Aktakuza është ngritur nga Prokurori i Shtetit në mbështetje të nenit 234 pa.1, 235 par.1, 236 par.1 dhe 239 të kodit nr. 08/L-032 të procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Siç shkruan në aktakuzë e pandehura Zana Berisha ka qenë në arrest shtëpiak nga data 8 tetor 2023, deri më 8 nëntor 2023, e cila masë me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren Ppr.nr.657/2023 është vazhduar deri më datë 8 dhjetor 2023. Gjykatat Themelore në Prizren me aktvendim Prp.nr.657/2023 ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak dhe ka zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor e cila masë ka zgjatur deri më 8 janar 2024.

Kujtojmë që ish-miss Kosova është arrestuar në aeroportin “Adem Jashari”, nga policia e Kosovës, arrestim që kishte bërë bujë të madhe në mediat vendore të Kosovës dhe atyre në Shqipëri. Po ashtu mediat kanë raportuar se ndaj ish-miss-it priten edhe aktakuza te reja nga qytetar të Shqipërisë dhe Kosovës me akuzat e njëjta për shantazh.

Sipas Aktakuzës së ngritur nga Prokuroria është bërë e ditur se hetimet për këtë çështje tashmë kishin nisur dhe përfshijnë raste që kanë ndodhur mes ish-missit dhe biznesmenit, në periudha të ndryshme, që nga viti 2021 dhe se këto hetime rezultojnë të mbyllura ku edhe është bërë publike aktakuza e cila mban datën 27 korrik të vitit 2024, dhe e protokolluar me 30 korrik 2024.

Në këtë aktakuzë të ngritur nga Prokuroria është e përfshirë e gjithë historia e ndodhur që nga fillimi i njohjes së ish-miss Kosovës dhe biznesmenit të njohur, e që kishte përfunduar me përfitim të kundërligjshëm të pasurisë nga ana e Berishës, e cila arriti ta shantazhojë biznesmenin për vite me radhë, duke e kërcënuar se do t’i dëmtojë imazhin.

Ekzistojnë dyshime se të gjitha kërcënimet dhe shantazhet që Zana Berisha i bën në bashkëpunim me persona tjerë, pasi ka mbështetje nga një rreth i ngushtë personash, ndërsa personi kryesor mund të jetë në një marrëdhënie me të e që pritet të bëhet me dije se kush është ai person gjatë seancave gjyqësore.

Prokuroria Themelore në Prizren erdhi në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar se më këto veprime e pandehura Zana Berisha ka kryer vepër penale: Shantazhi nga neni 329 paragrafi 2. lidhur me paragrafin 1.lidhur me nenin 77 paragrafi 1 dhe 2 të Kodit nr. 06-L/074 Penal të Republikës së Kosovës. Mbi bazën e ekzistimit të bazuar të veprës penale, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prizren, Departamentit të Përgjithshëm , divizionit penal që të caktohet dhe mbahet shqyrtimi fillestar dhe ai gjyqësor, në të cilin duhet të ftohen, Prokurori i Shtetit, e pandehura, i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit, familjarët e të dëmtuarit dhe dëshmitarët e cekur në aktakuzë. Po ashtu prokuroria ka kërkuar që të gjitha provat e siguruara të lexohen dhe të vërtetohen si dhe të merren parasysh deklaratat e dëshmitarëve.

Po ashtu prokuroria ka kërkuar që në mbështetje të nenit 235 par. 1, nen. par 1.10 të KPPRK-së se në rastin e përcaktimit të llojit të lartësisë së dënimit të merret parasysh edhe pranimi i fajësisë nga e pandehura dhe konform nenit 70 të KPRK-së, gjykata të merr rrethana lehtësuese. Po ashtu prokuroria në aktakuzë kërkon që të urdhëroj kryesen e veprës për të paguar shumën e barasvlershme pasurore të fituar me vepër penale në vlerë prej 85.000 euro. Si dhe pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor, administrimit të veprës penale për të cilën akuzohet e pandehura të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit në fuqi. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokurori i Shtetit, ish-miss Kosova e ka pranuar se ka dërguar foto dhe video në numrat e telefonit të familjarëve të të dëmtuarit dhe kjo formë e shantazhit është vërtetuar edhe në aktakuzë..

Nga provat e siguruara në këtë çështje penale, rezulton dyshimi i bazuar mirë se e pandehura e lartpërmendur ka kryer veprën penale për të cilat akuzohet, në kohën, vendin dhe në mënyrën e përshkruar si aktakuzë, thuhet në fund të aktakuzës  të ngritur nga Prokurori i Shtetit. “Epoka e re”, pasi ka siguruar kopjen e aktakuzës, ka kontaktuar me të dëmtuarin I.J i cili jeton në Zvicër dhe është pyetur në lidhje me gjithë situatën e krijuar në mes ish-miss Kosova dhe atij. Z. Jemini ka thënë se tashmë çdo gjë është në duart e drejtësisë së Kosovës dhe e pret verdiktin përfundimtar duke besuar se të gjitha dyshimet e bazuar të prokurorisë do të vërtetohen dhe se e akuzuara do të merr vendimin e merituar. “Çdo gjë është në duart e drejtësisë, tashmë ajo do të vendos për këtë çështje”, ka deklaruar Jemini. Ndërkohë që Epoka ere merr vesh se ish-missi e ka qitur në lajthitje edhe prindin e tij, i cili pritet të ballafaqohet me akuza të njëjta. /s.z/

  

The post Prokuroria ngre aktakuzë ndaj ish-mis Kosovës për kërcënim dhe shantazh ndaj një afaristi, kërkon dënim maksimal (Dokument) appeared first on Veriu.info.