Gazetari Furkan Saliu ka ngritur shqetësime serioze për pozitën e shqiptarëve në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se zhvillimet e fundit nuk janë më thjesht çështje politike, por prekin drejtpërdrejt praninë dhe të ardhmen e shqiptarëve në institucionet e vendit.

“Nuk është më çështje politike, besomëni. Është çështje ekzistence!”, ka shkruar Saliu, duke renditur një sërë sektorësh ku, sipas informacioneve që ai thotë se disponon, shqiptarët po përballen me përjashtim nga punësimet, kufizim të kompetencave dhe mungesë përfaqësimi.

Në reagimin e tij, Saliu përmend fillimisht Shkollën e Mesme Policore, ku pretendon se janë pranuar rreth 300 nxënës maqedonas, të cilët pas përfundimit të shkollimit do të punësohen në polici, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm i policëve shqiptarë pritet të dalin në pension.

Shqetësime të ngjashme ai ngre edhe për Armatën, ku pretendon se janë kufizuar mundësitë e shqiptarëve për punësim dhe pjesëmarrje në misione, si dhe për sektorin e shëndetësisë, ku sipas tij mungon përfaqësimi shqiptar në pozitat drejtuese dhe janë larguar punonjës që kanë kontribuar prej vitesh.

Saliu përmend gjithashtu shërbimet sekrete, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, MEPSO-n, Doganat, gjykatat dhe prokurorinë, duke vënë në pikëpyetje përfaqësimin dhe pozitën e shqiptarëve në këto institucione.

Në fokus të reagimit të tij janë edhe Lotaria Shtetërore dhe M-NAV. Për Lotarinë, ai ngre pretendime për trajtim të padrejtë të punonjësve shqiptarë dhe punësime që, sipas tij, kërkojnë hetim serioz. Ndërsa për M-NAV, pretendon se konkursi i fundit është anuluar pasi kandidatët shqiptarë kishin shënuar rezultate të mira në testimet e zhvilluara nga kompani evropiane.

Në fund, gazetari shtron edhe çështjen e investimeve infrastrukturore dhe shpërndarjes së mjeteve publike, duke kërkuar vëmendje ndaj rajoneve që përfitojnë nga projektet rrugore.

Saliu thekson se këto zhvillime duhet të shqetësojnë të gjithë dhe se çështja nuk duhet parë përmes prizmit të posteve apo interesave partiake, por si çështje e përfaqësimit dhe perspektivës së shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Pretendimet e ngritura në reagimin e tij kërkojnë sqarime dhe verifikim nga institucionet përkatëse.

The post 🔴 Saliu: “Nuk është më çështje politike, por ekzistence!” – Alarm për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore first appeared on .