Tollovia me parkimin në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” Shkup planifikohet të rregullohet me 1.000 vendparkime të reja. Ndërtimi i garazheve në kate pritet të fillojë së shpejti e të përfundojë për një vit, pasi procedurat ligjore dhe administrative për realizimin e projektit kanë përfunduar – konfirmon i pari i Shëndetësisë Azir Aliu, duke shtuar se kanë pasur problem me shpronësimin e hapësirës.
“Do të jetë ndërtesë mobile pra do të ndërtohet shumë shpejt. Nga aspketi infrastrukturorë presim për gjashtë muaj të kemi rezultatet e para e brenda një viti të kemi komplet parkingun ashtu siç duam ne të jetë – smart parking – me gjithë infrastrukturën horizontale dhe vertikale”, tha Azir Aliu.
Menaxhimi i parkingut do t’i besohet Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit të Shkupit”, ndërsa çmimi i shërbimit do të definohet nga institucioni menaxhues, me mbikëqyrje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, për të garantuar çmime të kontrolluara dhe të pranueshme për qytetarët.
-Pra çmimi realisht definohet nga institucioni që do të menaxhojë
–Parkingu i Qytetit të Shkupit?
–Po, gjithsesi ne kemi interes çmimi të kontrollohet edhe nga ministria.
Projekti pritet të lehtësojë ndjeshëm qasjen e pacientëve dhe stafit mjekësor në Qendrën Klinike, duke përmirësuar funksionimin e përgjithshëm të institucionit më të madh shëndetësor në vend. Ky ishte një nga premtimet kryesore të ministrit aktual të Shëndetësisë Aliu, ndërsa u premtua edhe nga paraardhësit e tjerë.
