Familjarët e të ndjerit Vedat Ademi u mblodhën në shenjë proteste para Prokurorisë në Kumanovë. Një vit pas vdekjes së 32 vjeçarit në Spitalin e Kumanovës, babai e vëllai shprehin revoltën për ngelizhencë të procesit nga organi hetuesisë dhe kërkojnë drejtësi sa më parë, për të ndjerin.

“Më së shumti po më dhemb humbja e djalit se drejtësi e di që s’do të ketë. E pash atë ditë kur më ftuan mua te prokurori, e vërejta se duan ta ndërrojnë lëndën. Kur e merr dokumentin doktori, duhet të jetë aty ta pyesin pacientin çfarë i dhemb, a ka alergji apo jo, prej çka ankon”, tha Amet Ademi.

“Shumë është e vështirë, çdo ditë e natë presim lajm mirëpo nuk ka asgjë, nuk dimë se çfarë ka të re dhe a do të ketë zbardhje të rastit? Siç e kam thënë edhe një vit më herët nuk kam shpresa shumë që do të ketë drejtësi në këtë shtet të korruptuar, ja pra edhe një vit më pas është gjendja e njëjtë”, deklaroi Suat Ademi.

Pikërisht sot Prokuroria publike ka formuar lëndë hetimore kundër tre personave. Nga faza parahetimore është konstatuar se ka elemente të veprës penale me pasoja vdekjeje, ndaj të dyshuarit doktor Z. Gj. Ai në natën e 17 marsit 2025 sa ishte në ndërrim, udhëzoi infermieren V.A., po ashtu e dyshuar, ta injektojë një ampulë analgini në venën e tashmë të ndjerit, pa e verifikuar se ishte alergjik në analgetikë.
I dyshuari i tretë është doktori A. A., i cili një ditë më parë e pranoi në urgjencë pacientin me dhimbje të forta barku, dhe në vend që ta shtrojë në trajtim spitalor i dha udhëzim për kurim shtëpiak.

“Për atë lëndë është kryer procedura parahetimore dhe është bërë ekzaminimi plotësues në mjekësinë ligjore, është formuar lëndë kundër dy doktorëve dhe një motre medicinale dhe më tej po vepron Prokurori publik Isa Sulejmani. Si do të vijoj hetimi, për çfarë vepre penale? Për trajtim të pakujdesshëm mjekësor të pacientëve me pasoja të rënda vdekjeje”, tha Teuta Ramadani.

Që nga dita e fatkeqësisë TV21 e ndoqi nga afër rastin dhe raportoi për çdo veprim apo mos veprim të institucioneve përkatëse. Fillimisht u shkarkua drejtori spitalit të Kumanovës Stefan Trajanovski. Më pas parahetimi zgjati një viti me marrje në pyetje të palëve dhe me raportin e autopsisë, i cili fillimisht u kundërshtua nga vet prokuroria. Nga Instituti i mjekësisë ligjore dorëzuan raportin e dytë, që është prova kryesore për shkaqet e vdekjes së Vedat Ademit, i cili shkoi në spital për tu shëruar por gjeti vdekjen.

“Ky është reparti kirurgjikal në Spitalin e Qytetit të Kumanovës, praktikisht ne jemi në ambulantën ditore ku jepen terapitë gjatë ditës për pacientët të cilët vijnë dhe fatkeqësisht kjo është dera e dhomës ku ka ndërruar jetë pacienti Vedat Ademi në paraditen e së hënës. Drejtori tha se ka ndodhur ajo që nuk është dashur të ndodh: një pakujdesi, të cilën po e heton prokuroria dhe policia se a ishte lëshim i doktorit, motrës medicinale për arsye që brenda disa minutave pas pranimit të terapisë intra venoze të infuzionit me analgetik, ndonëse pacienti ishte alergjik ndaj analginit, dyshohet se i është dhënë e njëjta substancë dhe për këtë arsye iu është përkeqësuar gjendja dhe ka ndërruar jetë” – Adnan Qaili, gazetar.

Ndërkaq, raporti i Inspektoratit shtetëror sanitar shëndetësor tregon edhe lëshime të tjera. Intervenimi i ngathët në procesin e reanimimit në kushte spitalore nuk do të ishte me fatalitet na shoku anafilaktik nëse do të ishin të gjitha pajisjet e duhura dhe gatishmëria e sfatit mjekësor për të intervenuar në kohë.