Nëpunës policor nga Koçani dhe Shtipi nuk kanë vepruar sipas rregullave për masa për mbrojtje, vlerëson Prokuroria, e cila e zgjeroi hetimin për tragjedinë në Koçan. Janë përfshirë dhjetë policë për veprime nga viti 2012 deri në vitin 2022. Një pjesë e tyre kryesisht janë ish kryeshefa dhe inspektorë, të cilët deri te Ministria e Ekonomisë kanë pohuar se objekti posedon elaborate për mbrojte nga zjarri dhe nuk ka pengesa për rendin publik dhe qetësinë në trafik.


“Nuk kanë kryer kontroll të plotë dhe të detajuar në lidhje me dhënien e pajtueshmërisë pozitive për dhënien e licencës për kabarenë Puls, në pjesën e sigurisë në trafik dhe rendin dhe qetësinë publike. Me dhënien e pajtueshmërisë të gjithë së bashku i kanë mundësuar personit juridik që të marrë licencë për kryerjen e veprimtarisë gastronomike, edhe pse nuk i ka plotësuar kushtet e parapara”, thonë nga PTHPNKOK.

Prokuroria ka kërkuar masa kujdesi për 7 nga 10 nëpunësit policor të dyshuar, për shkak se tre prej tyre tashmë janë në paraburgim. MPB po gjurmon pas një polici nga Shtipi i cili deri më tani nuk është i qasshëm për organet e rendit. Përndryshe, për aksionin, mbrëmë në intervistë për “Telma”, i pari informoi kryeprokurori Lupço Kocevski.

“Hetimi për momentin zgjerohet për edhe shtatë nëpunës policor”, pohoi Lupço Kocevski, prokuror shtetëror.

Një pjesë e mediave, duke u thirrur në burime nga policia, këtë mëngjes publikuan se Kocevski në intervistë e ka kompromentuar aksionin, andaj një polic ende po kërkohet. Megjithatë, MPB e mbrojti Kocevskin.

“MPB plotësisht i demanton dezinformatat e publikuara në një pjesë të portaleve për gjoja pengimin e aksionit të djeshëm nga ana e kryeprokurorit Lupço Kocevski”, thonë nga MPB.

Kryeprokurori theksoi se po shqyrtohet edhe çfarë saktë kanë bërë dhe çfarë veprimesh kanë ndërmarrë policët në diskotekën e Koçanit natën kur ka ndodhur ngjarja tragjike. Atje ata kanë qenë të pranishëm për shkak të aksionit për luftë kundër narkotikëve.

“Ende Prokuroria publike po grumbullon prova pse kanë shkuar, me urdhër të kujt kanë shkuar dhe çfarë kanë bërë kur ka filluar zjarri”, deklaroi Lupço Kocevski, prokuror shtetëror.

Më datë 19 të muajit të kaluar u arrestuan 7 nëpunës policor nga Shtipi dhe Koçani, ndërsa atyre iu shqiptua masa e paraburgimit. Sipas Prokurorisë ata janë të dyshuar se kanë nënshkruar dhe kanë dhënë mendim pozitiv për dhënien e licencës për punë kabaresë Puls, edhe pse fare nuk i ka plotësuar kushtet.