Pas raportimit të djeshëm të TV21 se në Spitalin e Tetovës janë paraqitur një numër i madh fëmijësh dhe 12 prej tyre janë hospitalizuar, ka reaguar Aleanca për Shqiptarët. Nga ky subjekt politik akuzojnë për standarde të dyfishta dhe heshtje institucionale, duke e krahasuar situatën me Gostivarin.
“Ku janë sot alarmet? Ku janë konferencat për shtyp? Ku janë ministrat, drejtorët dhe gjithë ata që në Gostivar numëronin çdo kontroll dhe çdo paraqitje si argument për të krijuar panik në publik? Në Gostivar u publikuan shifra kumulative… Sot kemi 12 fëmijë të hospitalizuar vetëm në Pediatrinë e Tetovës brenda 48 orëve. Pse tani heshtin? Shëndeti publik nuk mund të trajtohet sipas komunës, kryetarit apo interesit politik të ditës”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga ana tjetër, drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, në një deklaratë për TV21 hedh poshtë pretendimet se bëhet fjalë për helmim apo ndonjë epidemi, duke theksuar se shifrat janë në nivele të ngjashme me vitin e kaluar.
“Në bazë të gjitha të dhënave që i keni marrë edhe nga kryeshefja e pediatrisë së Spitalit Klinik të Tetovës, domethënë ato pretendime nuk janë të vërteta. Kështu që numrin në pediatri e kemi të njëjtin numër si në vitin e kaluar. Numri 39 domethënë ka qenë një ditë brenda 48 orëve, që ka qenë një numër pak më i madh i pacientëve në repartin e pediatrisë, prej të cilëve ka qenë një numër 12 apo 13 kanë qenë të hospitalizuar. Por dallimi është se kanë qenë me simptoma të ndryshme, nuk kanë qenë të gjithë me simptoma të njëjta. Nuk është e vërtetë ajo që thonë nëpër media, simptomat kanë qenë të ndryshme te pacientët. Disa kanë qenë me sëmundje respiratore, kurse disa kanë qenë me sëmundje virale ashtu siç është edhe koha”, deklaroi Erzen Elezi – drejtor i Spitalit Klinik – Tetovë.
Ndryshe specialisti i pediatrisë, dr. Isa Osmani, sqaroi se këto simptoma janë karakteristike për virozat e stinës së verës dhe shkaktohen nga një sërë faktorësh mjedisorë e higjienikë.
