Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Vazhdojnë temperaturat e larta, të paktën edhe për dy ditët e ardhshme, ndërsa sinoptikët paralajmërojnë ulje të temperaturave nga dita e mërkurë. Temperaturat e larta po ndikojnë edhe në shëndetin e të moshuarve dhe të sëmurët kronik. Nga ndihma e shpejtë thonë se pranojnë rreth 200 thirrje në ditë, ndërsa intervenojnë tek rreth 60 persona.
“Më të rrezikuarit janë të sëmurët kronikë, ata të grupmoshës mbi gjashtëdhjetë vjeç. Ata ankohen për marramendje, tension të lartë të gjakut, dhimbje koke, takikardi. Pra, kjo më së shpeshti i detyrohet temperaturave të larta. Luhatjet e tensionit të gjakut janë më të shpeshta në këtë periudhë. Po ashtu paraqiten dobësi, djersitje e shtuar. Këto janë simptomat që vërehen, si të themi, në një gjendje para kolapsit dhe më së shpeshti te njerëzit që janë të ekspozuar ndaj vapës dhe diellit. Ata më së shumti i gjejmë në ambiente të hapura, pra në vende publike”,tha mjejka, Anita Dimoska
Dimoska thotë se për shkak të numrit të reduktuar të mjekëve, intervenimet bëhen vetëm në raste më emergjente.
“Edhe në kushte normale, kur funksionojmë, kemi qenë me numër të reduktuar, ndërsa tani dihet se është sezoni i pushimeve të vjetra të pashfrytëzuara dhe i pushimeve të reja vjetore që shfrytëzohen nga punonjësit tanë”.-tregoi mjekja, Anita Dimoska
Mjekët apelojnë që qytetarët t’i përmbahen rekomandimeve të Institutit të Shëndetit Publik. Të mos ekspozohen në diell pa nevojë, të vishen rroba të lehta dhe të përdoren mbrojtje si kapelë dhe syze dielli. Po ashtu këshillohet që të qëndrohet në vende të freskëta, të konsumohet ushqim i lehtë dhe të pihet ujë rregullisht./Alsat.mk
The post 200 thirrje në ditë në ndihmën e shpejtë për asistencë mjekësore nga temperaturat e larta appeared first on Alsat.
