21 komuna zgjodhën kryetarët në Kosovë, 17 në balotazh

Gazetar: Suad Bajrami

Mbi 222 mijë qytetarë të Kosovës gjatë ditës së djeshme kanë votuar për zgjedhjen e kryetarëve të 38 komunave. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 21 komuna ka përfunduar gara në raundin e parë, ndërsa në 17 të tjera do të ketë balotazh, respektivisht rreth të dytë, i cili do të mbahet më 9 nëntor.

Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK pa balotazh kanë fituar në gjithsej 3 komuna. Partia e Albin Kurtit ka fituar në Kamenicë, Podujevë dhe Shtime, ndërsa partia e Memli Krasniqit në Ferizaj, Han të Elezit dhe Skënderaj. LDK e Lumir Abdixhikut në rreth të parë ka fituar Istog dhe Lipjan, ndërsa AAK e Ramush Haradinajt në Deçan. Nisma e Fatmir Limajt tradicionalisht fitoi në Malishevë, Ramiz Lladrovci i cili doli i pavarur për shkak se nuk e kandidoi PDK, e fitoi kandidatin e PDK-së në Drenas, kurse Partia e Turqve do të ketë kryetarin e saj në Mamushë. Pas bojkotit dyvjeçar serbët e Kosovës rikthehen në institucione. Në 9 komuna me shumicë serbe, në raund të parë ka fituar Lista Serbe, ndërsa për komunën e dhjetë, respektivisht Kllokotin, do të përballet me SNS-në në rrethin e dytë.

Padyshim, gara më e ashpër dhe më e rëndësishme në rrethin e dytë do të jetë për Prishtinën. Përparim Rama i LDK-së do të përballet për edhe një mandat me Hajrulla Çekon e VV-së, pas një gare të ngushtë me numra dhjetorë në rrethin e parë. Me dallim prej rreth 30 votash rezultoi edhe gara për komunën simbolike të Mitrovicës së Jugut, mes Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të VV-së, të cilët do të duhet të përballen në rrethin e dytë. Në balotazh do të garohet edhe për Pejën, Prizrenin, Gjilanin, Gjakovën, Fushë Kosovën, Junikun, Obiliqin, Dragashin, Vushtrrinë, Kaçanikun, Rahovecin, Vitinë, Klinën dhe Suharekën.

Sipas të dhënave në raundin e dytë Vetëvendosja do të garojë në 12 komuna, LDK në 9, PDK në 6, AAK 5 komuna dhe Lista Serbe në 1. Prej 12 komunave ku do të garojë Vetëvendosje në balotazh, në rrethin e parë ka pasur epërsi në 2 prej tyre, ndërsa në 10, kandidatët saj kanë pasur më pakë vota në raport me kundërkandidatët e tjerë. Nga ana tjetër, LDK që do të garojë në 9 komuna, në rrethin e parë ka pasur epërsi në 6 prej tyre, ndërsa në 3 ka pasur më pak vota. Prej 6 komunave që do të garojë PDK, në 4 prej tyre në rrethin e parë ka pasur avantazh, ndërsa në 2 ka pasuar më pak vota. AAK do të garojë në 5 komuna, në 4 prej të cilave në rrethin e parë ka pasur avantazh.

Brenda javës pritet të përfundojë numërimi i të gjitha votave, përfshirë edhe ato për këshilltarë, votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Në ditët në vijim pritet të dalin edhe rezultatet nga votat e diasporës, që në këto zgjedhje kanë pasur të drejtë rreth 44.000 persona. Sipas KQZ-së, zgjedhjet kanë kaluar në atmosferë të qetë dhe pa ndonjë incident të madh që do të cenonte procesin zgjedhor. Të gjitha partitë politike në Kosovë, kanë përshëndetur punën e organeve të shtetit për zbatimin e zgjedhjeve. /Alsat.mk

 

The post 21 komuna zgjodhën kryetarët në Kosovë, 17 në balotazh appeared first on Alsat.