28 specializantë morën vendime pune në Spitalin e Tetovës. Ua ndanë ministri i shëndetësisë Azir Aliu dhe drejtori i spitalit Shkëlzen Elezi. Ministri tha se kjo është faza e parë e dhënies së vendimeve.
“Unë uroj që këto mjekë të rinj do të japin maksimumin që të ngrihen dhe të bëjmë të mburremi edhe ne si shoqëri. Ne këtu nuk do të ndalemi do të vazhdojmë edhe me pjesën e dytë të konkursit, sepse me standardet evropiane mjek ende na nevojiten”, tha Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
“Më shumë mungesë në spitalin klinik të Tetovës kemi mungesë në repartin e infektives, repartin e hematologjisë, në repartin e rëntgenologjisë dhe besoj se edhe më këtë konkurs tjetër edhe këto vende do mbushen”, u shpreh drejtori i Spitalit të Tetovës, Shkëlzen Elezi.
I pyetur se ku është procedura për punësimin apo dhënien vendimeve për 155 infermierët, drejtori Elezi tha se procedura u ndërpre për shkak të zgjedhjeve, por premtoi se shumë shpejtë do të jepen vendimet edhe për to.
SHKËLZEN ELEZI – DREJTORI I SPITALIT TETOVËS
“Jam zotuar për këtë konkurs se do e realizoj! Disa herë e kam dhënë këtë deklaratë dhe përsëri do e jap, jemi në fazën përfundimtare, tani jemi në kontrollimin e testeve që komisioni është duke e bërë punën e vet. Besojë se shumë shpejtë do kryhet kjo, pas kësaj, nga java tjetër, do t’i thërrasim në intervistë, kështu që t’i respektojmë procedurat ligjore që deri në fund të arrimë tek realizimi, kështu që shumë shpejtë do jetë e realizuar për 155, pjesa e administratës janë 25 për momentin presim pëlqimin e ministrisë së administratës dhe shumë shpejtë do e realizojmë edhe atë”, shtoi drejtori i Spitalit të Tetovës, Shkëlzen Elezi.
155 infermiere në Tetovë me javë të tëra kanë protestuar pasi që spitali nuk u kishte lëshuar rrogat për tre muaj dhe shumica ishin me kontrata në vepër për rreth 10 vite.
