Çmimi i banesave në ndërtesat e reja në qendër të Shkupit ka arritur në 3.000 euro për metër katror. Rënie nuk pritet, përkundrazi do të ishin të lumtur të paktën po të mbeteshin këto çmime. Këtë e theksuan në emisionin Biznes 21 Ivan Zhivkovski, drejtor i Agjencisë për Kadastrin e Patundshmërive, dhe Frosina Ushlinovska, përfaqësuese e grupimit të patundshmërive pranë Odës Ekonomike. Ata thonë se kërkesa e shtuar, spekulimet dhe mentaliteti se duhet patjetër të blihen banesa për fëmijët kanë ndikuar më së shumti në rritjen marramendëse të çmimeve, të cilat janë rritur të paktën dyfish.
“Ndërtesat e reja në Komunën Qendër si komuna më atraktive, por jo më pak atraktive është edhe Komuna Karposh në territorin e Shkupit, pra lëvizin nga 2.400, 2.500 e deri diku tek 3.000, dhe ajo shumë që e kemi të evidentuar – 3.100, 3.100 e diçka”, tha Ivan Zhivkovski, drejtor i Agjencisë për Kadastrin e Patundshmërive.
“Kërkesa për patundshmëri, pra kultura e blerjes së patundshmërive në Maqedoni e bëri të vetën. Ndërsa njerëzit që kërkonin ose i shisnin patundshmëritë i vendosnin çmimet ‘nga mënga’. Panë që kjo po kalonte dhe askush nuk mund ta ndalte Nuk kishim mënyrë dhe rregullativë si ta ndalonim këtë”, pohoi Frosina Ushlinovska, Përfaqësuese e Grupimit të Patundshmërive pranë Odës Ekonomike.
Sipas Ushlinovskës, është e nevojshme urgjentisht të miratohet një Ligj për qarkullimin e patundshmërive, një rregullativë që do të rregullojë punën e të gjithë aktorëve në treg, si dhe licencimin e agjencive të patundshmërive të cilat janë mbi 200.
“Të pastrohet tregu dhe atëherë kur të më pyesin mua se me çfarë çmimi ta ofroj pronën, unë do të jem e thirrur ta bëj këtë Tani kur më pyesin, u them ‘mos më pyet’, sepse ke shumë sharlatanë në këtë punë, pyeti ata. Sepse ai numër do të tingëllojë shumë më i bukur sesa ai që do të ta them unë”, deklaroi Frosina Ushlinovska, Përfaqësuese e Grupimit të Patundshmërive pranë Odës Ekonomike.
Të dy janë pesimistë se do të bjerë çmimi i metrit katrorë të banesave.
“Ne do të ishim të lumtur dhe të kënaqur nëse këto çmime ndalen këtu me një rënie të lehtë në të ardhmen dhe të stabilizohet tregu i patundshmërive”, tha Ivan Zhivkovski, drejtor i Agjencisë për Kadastrin e Patundshmërive.
“Do të stabilizohet, ose nëse rritet, do të rritet me ndonjë rritje të vogël, praktikisht në hap me inflacionin”, u shpreh Frosina Ushlinovska, Përfaqësuese e Grupimit të Patundshmërive pranë Odës Ekonomike.
Zhivkovski thotë se nevojitet reagim i përbashkët dhe masa nga disa institucione për të stabilizuar tregun e patundshmërive në vend.
Të dhënat e Kadastrës tregojnë se në qendër të Shkupit, në tremujorin e tretë të këtij viti, është shitur një banesë prej 91 metrash katrorë për 280.000 euro – ose mbi 3.000 euro për metër katror.
