Vetëm mediat profesionale dhe të pavarura mund të kontribuojnë për zhvillim të qëndrueshëm dhe demokratik në epokën e ndryshimeve të shpejta teknologjike, thonë nga Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale me rastin e 3 Majit – Ditës botërore të lirisë së mediave. Shtojnë se, liria nënkupton të drejtën e gazetarëve për të hulumtuar pa presione, por me zhvillimin e inteligjencës artificiale, kjo e drejtë merr një domethënie të re dhe përballet me sfida të reja.
“Inteligjenca artificiale hap mundësi të reja për avancimin e gazetarisë hulumtuese, automatizimin e krijimit të përmbajtjeve dhe kontroll i përshpejtuar i fakteve, por sjell edhe rreziqe të konsiderueshme nga aspekti i gjenerimit të dezinformatave, lajmeve të rrejshme dhe videove manipuluese. Inteligjenca artificiale paraqet resurs të rëndësishëm në praktikën gazetareske, por ajo nuk duhet plotësisht të zëvendësohet me kontrollin e detajuar, mendimin kritik dhe objektivitetin”, thanë nga AShMAA.
Sipas SHGM-së nevojiten reforma urgjente dhe koordinuese për përforcimin e sektorit mediatik dhe përmirësimin e pozitës së gazetarëve. Shtojnë se legjislativi kombëtarë ende nuk është harmonizuar me standardet europiane, ndërsa keqpërdorimi i të ashtuquajturave padi SLAPP (padi strategjike kundër participimit publik) mbetet mekanizëm për presion ndaj mediave dhe gazetarëve kritik.
“Politikanët, posaçërisht ata në pozita të fuqisë duhet të ndërmarrin përgjegjësi dhe të kontribuojnë për krijimin e kulturës së respektit, transparencës dhe komunikimit konstruktiv me mediat. Përmes pranimit publik të rolit të gazetarëve në shoqërinë demokratike dhe përmbajtja nga fjalimet ofenduese munden në mënyrë të konsiderueshme të përmirësojnë mjedisin e përgjithshëm mediatik dhe të përforcojnë besimin e opinionit”, vlerëson Biljana Nasteska Kallanoska nga ShGM-ja.
Në raportin më të ri të Reporter pa kufij, Maqedonia ka shënuar rënie prej gjashtë pozitave në Indeksin botëror për liri të mediave për vitin 2024 dhe është ranguar në vendin e 42. SHGM vlerëson se raporti është real dhe tregim i balancuar i gjendjeve që qartë i tregon sfidat si dhe nevojën për reforma thelbësore.
