
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur procedurë hetimore kundër një 20-vjeçari nga fshati Reçicë e Vogël, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Terrorizëm”. Sipas prokurorisë, i dyshuari ka përdorur platformën sociale “Discord” në fund të muajit janar për të dërguar kërcënime serioze, duke deklaruar se ishte i gatshëm të kryente një sulm me armë zjarri të llojit AK-47.
Në mesazhet e tij, i riu kishte pohuar se kishte probleme me shëndetin mendor dhe kishte shprehur admirim për vrasësin Adam Lanza, i cili në vitin 2012 vrau 26 persona në një shkollë në SHBA. Ky rast u zbulua falë bashkëpunimit të ngushtë me Ambasadën e SHBA-së në Shkup dhe FBI-në, të cilët kërkuan identifikimin urgjent të profilit pas zbulimit të kërcënimeve që e kishin origjinën nga territori i Maqedonisë së Veriut.
Më 17 shkurt 2026, pas lokalizimit të adresës së përdoruesit, forcat e rendit, përfshirë pjesëtarët e njësisë speciale “Tigrat”, bastisën shtëpinë e të dyshuarit në Reçicë të Vogël. Gjatë këtij aksioni u konfiskuan një sëpatë, pesë thika, një teleskop, shtatë celularë “Iphone” dhe një kompjuter. Po ashtu, babait të tij iu sekuestrua një pistoletë me leje, ndërsa gjyshi i të dyshuarit do të përballet me kallëzim penal pasi në posedim të tij u gjetën një pistoletë dhe një automatik pa leje.
Me propozim të prokurorit publik, Gjykata Themelore e Shkupit ka pranuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, duke e dërguar 20-vjeçarin në paraburgim prej 30 ditësh deri në përfundim të hetimeve.
