Është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh për 52-vjeçarin M.M. nga Toplica e komunës së Vrapçishtit, pas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike në Gostivar, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale – vrasje në tentativë, sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 2, në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve të para, ngjarja ka ndodhur më 27 nëntor, pas një fjalosjeje në shtëpinë familjare në Toplicë, ku i dyshuari e ka sulmuar bashkëshorten me forcë fizike dhe me mjet të mprehtë. Ajo ka pësuar plagë të rënda në kokë, fytyrë dhe trup, si dhe thyerje të disa brinjëve, si pasojë e të cilave ka mbetur pa ndjenja. Rastin në polici e ka denoncuar babai i të dyshuarit, ndërsa prokuroria ka kërkuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit te dëshmitarët dhe mundësisë që ta çojë deri në fund veprën.
Por, sa raste të dhunës në familje ka pasur gjatë vitit 2026 në Gostivar dhe komunat rurale?
Të dhënat zyrtare që TV21 posedon nga Gjykata Themelore në Gostivar tregojnë se nga 1 janari deri më 24 nëntor të këtij viti janë pranuar gjithsej 39 lëndë për dhunë në familje, prej të cilave 18 janë ende në procedurë.
Sipas njoftimit të gjykatës, 21 lëndë kanë marrë epilog gjyqësor të shkallës së parë. Kohëzgjatja më e shkurtër e procedurave ka qenë 15 ditë, më e gjata 8 muaj, ndërsa mesatarja lëviz nga 2 deri në 4 muaj. Të gjitha 21 vendimet e sjella deri më tani janë aktgjykime dënuese, pa asnjë aktgjykim lirues apo refuzues.
“Nga këto vendime, në 8 lëndë është shqiptuar dënim efektiv me burg, me kohëzgjatje minimale prej 3 muajsh dhe maksimale prej 8 muajsh. 11 persona janë dënuar me dënim me kusht, 1 person me dënim me kusht dhe masë të mjekimit të detyrueshëm dhe ruajtjes në institucion psikiatrik, ndërsa 1 personi i është shqiptuar dënim me kusht, me mjekim të detyrueshëm për alkoolistë dhe narkomanë në liri, në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Në 1 lëndë është shqiptuar dënim me gjobë”, tha Gjykata Themelore në Gostivar.
Gjykata bën të ditur se nuk ka raste të revokimit të dënimit me kusht, nuk ka masa preventive të shqiptuara dhe as lëndë të proceduara për mosrespektim apo shkelje të urdhrave gjyqësorë për ndalesë afrimi. Pikërisht mungesa e masave preventive dhe e procedimeve për shkelje të urdhrave të mbrojtjes e bën edhe më të mprehtë pyetjen se sa parandalim real po ndodh përpara se rastet të përshkallëzohen në akte me pasoja fatale.
