Rënia e temperaturave deri në -6 gradë javën që lamë pas ka shkaktuar dëmtime të mëdha në shumë pemë, thuajse 100%. Më të prekura janë qershitë dhe vishnjet, pasi ato tashmë kishin lulëzuar në kohën kur ndodhi ulja e temperaturave. Gjatë ditës së sotme ishim në Tetovë, ku Ibrahim Fejzullahu ka mbi 300 drunj qershie, të cilët janë dëmtuar rëndë. Ai thotë se dëmi është i madh, pasi nga 300 pemët që ka të mbjella, çdo vit ka marrë nga 12 deri në 15 ton qershi.

“I ka shkatërruar  të gjithë. Janë dëmtuar 90 apo 99 % dhe ju mund të shihni se si janë. Unë kam marr këtu 13, 12 tonë deri në 15 tonë vitet tjera. Vjet breshri i prishi krejt. Këtë vit prapë ngricat i prishën krejt dhe në nuk kemi kapacitet që të dalim më tutje. Mund të thuash 100%. Ja ju edhe mund ta shihni vetë se si është dëmi i këtyre”, tha Ibrahim Fejzullahu.

Ibrahimi u bën thirrje autoriteteve të Komunës së Tetovës që të dalin në terren dhe të vlerësojnë dëmet, edhe pse, sipas tij, ata nuk kërkojnë që dëmi t’u dëmshpërblehet 100%, aq sa kanë humbur, por një ndihmë e vogël do të ishte shumë e vlefshme për ta. Sipas tij, në të gjitha komunat e tjera, institucionet i kanë marrë parasysh dëmet.

“Isha në komunë i paraqita. Ata nuk e morën parasysh hiq , nuk të marrin në dorë hiq. Ne nuk dimë se çka të bëjmë. Nuk kërkojmë kushedi se çfarë. Pak ta zbusin situatën që të mbijetojmë. Ne dimë se nuk mund t’i paguajë të gjitha por për të mbijetuar të zbusë pak situatën. Atë kërkojmë, ndonjë ndihmë. Kemi 300 drunj. E tash ja lëmë komunës të dalin në terren të shohin inspektorët”, tha Fejzullahu.

Për shkak të festës së Pashkëve, nga Komuna e Tetovës nuk arritëm të marrim përgjigje pse nuk kanë dalë në terren. Një përgjigje presim ta marrim gjatë ditës së nesërme. Ndërkohë, temperaturat e ulëta kanë shkaktuar dëme edhe te mollët. Në rajonin e Prespës është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe komuna ka krijuar një komision për vlerësimin e dëmeve. Në raste të tilla, kompensimi, me vendim të Qeverisë, mbulohet nga të paktën 10 deri në maksimum 30 për qind të shumës së dëmit të vlerësuar.