Kallëzim penal për lëndim të rëndë trupor është ngritur kundër një 31-vjeçari nga Ohri, i cili ka sulmuar brutalisht të dashurën e tij 26-vjeçare dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, përcjell TV21. Sipas informacioneve nga MPB-ja, incidenti ka ndodhur më 15 nëntor, rreth orës dy pas mesnate, pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme. Sulmi ka filluar në shtëpinë e tij, ka vazhduar në automjet dhe më pas edhe në rrugë, pasi ai e ka ndaluar veturën.

Vajza ka humbur vetëdijen dhe është dërguar në spitalin e Ohrit, ndërsa më pas është transferuar në spitalin „Shën Erazmo”. I dyshuari është arrestuar në orën 05:05, ndërsa gjykata i ka caktuar masa kujdesi. Ndërkohë, policia ka ndaluar edhe babanë e vajzës, pasi ishte raportuar se i kishte drejtuar kërcënime të dyshuarit dhe familjes së tij. Edhe ndaj tij do të parashtrohet parashtresë përkatëse, informojnë nga MPB-ja