Hansi Flick bëri pesë ndryshime në formacionin titullar për ndeshjen e 1/8 finale të Kupës së Mbretit kundër Betis, krahasuar me finalen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite. Trajneri gjerman vendosi të freskonte ekipin pas lodhjes dhe ndikimit emocional të finales në Lindjen e Mesme.

Përveç futjes së detyruar të Ronald Araujo për shkak të mungesës së Iñigo Martínez, në formacionin titullar u përfshinë Frenkie de Jong, Dani Olmo dhe Gerard Martín, ndërsa Casadó, Lewandowski dhe Balde u lanë të pushonin, duke pasur parasysh përballjen e ardhshme me Getafe, të shtunën.

Një nga qëllimet kryesore të Flick ishte shmangia e ndonjë euforie apo relaksimi, pas fitimit të trofeut të parë të sezonit. Dhe duket se e realizoi këtë me sukses. Barça hyri në fushë me agresivitet që nga minuta e parë, duke dominuar në të gjitha aspektet e lojës kundër një Betisi që nuk gjeti përgjigje dhe dukej i pafuqishëm.

Ekipi katalanas e ka filluar me këmbën e mbarë vitin 2025, duke regjistruar katër fitore në katër ndeshje deri më tani, pas mbylljes së vitit 2024 me ndjesi të përziera. Flick, në konferencën për shtyp në Montjuïc, foli për këtë performancë mbresëlënëse:

“Më pëlqeu shumë performanca e ekipit. E dinim se do të ishte e vështirë të fitonim pas të dielës, sepse do të ndiheshim të shkëputur. Sidoqoftë, pamë mentalitetin e këtij ekipi, lojtarët janë shumë profesionistë. Betis u përpoq të na bënte presion, por ne bëmë shumë mirë. Luajtëm me besim që nga mbrojtja dhe ndërtimi i lojës sonë ishte vërtet i mirë”.

Sa i përket formës jo të mirë në fund të 2024-ës, Flick sqaroi: “Ekipi është shumë i ri. Rënie të tilla janë të zakonshme. Duhet të besojmë në aftësitë tona”.

Olmo si ‘9’ dhe vlerësimet për lojtarët: “Dani di të luajë për mrekulli si ‘9’, e ka bërë këtë edhe me kombëtaren spanjolle. Kam folur me të. Lewandowski nuk ishte një opsion për sot. Plani funksionoi. Po ashtu, pamë se e kontrolluam lojën në mesfushë, ishte shumë bukur”.

Lidhur me fjalët e Gavit, që tha se “pas Messit, Yamal është më i miri në botë”, Flick shtoi: “Gavi është shumë emocional, por përgjigjja është po. Në ndeshje të mëdha shohim si shkëlqejnë talentet e mëdha. Lamine është në një moment të shkëlqyer forme, por duhet ta mbrojmë. Megjithatë, ai është vërtet brilant”.

Pedri, një lojtar shumë prezent: “Pedri është kudo. Në mesfushë, këta të rinjtë e ‘La Masia’ e kuptojnë lojën dhe kombinojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Pedri ka një performancë të jashtëzakonshme në çdo ndeshje. Ai vrapon shumë kilometra dhe bën gjëra fantastike me topin. Është e rëndësishme që të përmirësohet si lider në mesfushë. Na nevojitet dikush që e kontrollon dhe lexon mirë lojën, ai është perfekt për këtë”.

Sa i përket të ardhmes së Ronald Araujo, trajneri gjerman tha: “Mendoj se Ronald ka kontratë edhe për një vit e gjysmë. Jam i kënaqur që e kam në ekip dhe do të shohim çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Pamë se si tifozët e festuan rikthimin e tij”.

Flick gjithashtu theksoi rëndësinë e Gavit në ekip: “Ai është i gjithanshëm, fiton duele të rëndësishme, është i shkëlqyer në mbrojtje dhe sulm. Jam shumë i kënaqur me të”.

The post 5 rotacione për të fituar 5-1 në kupë, Flick krenohet me Barçën e tij dominuese appeared first on Telesport.