Rreth 50 punëtorë, të gjithë nga Maqedonia, thonë se u pushuan pa paralajmërim nga puna në kompaninë Bechtel & Enka.

Vendimi i papritur thonë i ka lënë në rrugë dhe pa siguri financiare.

Shpjegimin që e kanë marrë nga kompania është se nuk ka para, pasi qeveria nuk i ka lëshuar mjetet.

“Sot erdhëm në punë dhe na dhanë listë se kush, më së shumti punëtorë lokalë, nga Maqedonia, nuk do të jemi më në punë! Ka disa nga kolegët që kontrata u skadon në muajin e katërt, pestë, gjashtë dhe shtatë, por na thanë aq dmth sikur nga shteti nuk u japin mjete, financa dhe tjonë se për këtë ata nuk kanë mjete për të na mbajtur, andaj na heqin”, tha punëtori i përjashtuar nga puna.

Ministria e Transportit njofton se të gjitha pagesat ndaj kompanive kontraktore për ndërtimin e segmenteve të autostradës në Korridoret 8 dhe 10 janë kryer në kohë, ndërsa largimi i punëtorëve mund të ketë ndodhur për shkak të nënkontraktuesve, për të cilët qeveria nuk ka përgjegjësi. Edhe kryeministri, kur u pyet, e tha të njëjtën gjë.

“Qeveria nuk ka borxh asnjë fenik, asnjë denar ndaj kompanisë Bechtel dhe Enka, andaj punëtorët të drejtat e tyre duhet t’i kërkojnë tek menaxhmenti i Bechtel dhe Enka dhe tek ata që e kanë nënshkruar atë marrëveshje me Bechtel dhe Enka”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

E se Qeveria nuk ka asnjë borxh, e konfirmuan edhe nga kompania Bechtel dhe Enka, por në përgjigjen e tyre nuk ka një sqarim se pse u larguan punëtorët, siç pohojnë, pa paralajmërim.

“Ne po punojmë ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të harmonizuar aktivitetet e ndërtimit me prioritetet aktuale kombëtare. Kjo përfshin përshtatjen e niveleve të fuqisë punëtore në faza të ndryshme të projektit për të përmbushur nevojat operative. Konfirmojmë se të gjitha faturat deri më sot janë paguar në tërësi nga Qeveria”, u shpreh zëdhënësi i “Bechtel&Enka”.

Nga kompania po ashtu shtojnë se projekti vazhdon të bëjë përparim të mirë, dhe ne mbeten të përkushtuar për të bashkëpunuar me Qeverinë për të ofruar infrastrukturë që forcon lidhshmërinë, mbështet punësimin lokal, dhe kontribuon në rritjen ekonomike.