Pavarësisht rritjes së numrit të kërkesave për dokumente personale gjatë periudhës së verës, veçanërisht për shkak të numrit të madh të mërgimtarëve që qëndrojnë në vend gjatë kësaj periudhe, procesi i lëshimit të pasaportave po zhvillohet pa probleme dhe pa vonesa, informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme për MIA-n.
Sipas MPB-së, gjatë muajit korrik janë pranuar rreth 55 mijë kërkesa për lëshimin e dokumenteve personale, përfshirë edhe pasaportat. Termin për dorëzimin e kërkesës në procedurë të rregullt qytetarët e marrin brenda një deri në dy ditë, ndërsa dokumentet i marrin brenda maksimumi shtatë ditësh.
Masat organizative kanë shkurtuar afatet
Nga Ministria theksojnë se kjo është hera e parë që gjatë muajve korrik dhe gusht, kur tradicionalisht ka fluksin më të madh të mërgimtarëve, procedura zhvillohet me këtë dinamikë dhe pa pritje të gjata. Sipas tyre, kjo është rezultat i masave organizative të ndërmarra dhe optimizimit të proceseve të punës.
MPB-ja, në përgjigjen për MIA-n, thekson se disponon me kapacitete të mjaftueshme për t’iu përgjigjur numrit të shtuar të kërkesave gjatë verës, me qëllim që të gjithë qytetarët, përfshirë mërgimtarët që qëndrojnë në vend gjatë pushimeve, t’i marrin në kohë pasaportat e tyre.
Ministria e Punëve të Brendshme i informon edhe një herë qytetarët se, për shkak të vendosjes së një sistem të ri, nga nesër, 23 qershor, nga ora 21:00 deri të dielën, 27 qershor, në ora 21:00, shërbimi nuk do të jetë në funksion.
Muajt e verës tradicionalisht sjellin një numër të madh të mërgimtarëve në vend, të cilët qëndrimin e tyre, ndër të tjera, e shfrytëzojnë edhe për të nxjerrë ose rinovuar pasaportat e Maqedonisë.
MPB-ja rekomandon që qytetarët nga diaspora kërkesën për pasaportë të re ta dorëzojnë menjëherë pas mbërritjes në vend.
Në rastet kur ekzistojnë arsye urgjente dhe të arsyeshme që lidhen me udhëtimin jashtë vendit, MPB-ja vepron në përputhje me mundësitë ligjore për lëshimin urgjent të pasaportave.
Ministria u rekomandon qytetarëve nga diaspora që paraprakisht të kontrollojnë vlefshmërinë e dokumenteve të tyre dhe, nëse kanë nevojë për pasaportë të re, kërkesën ta dorëzojnë menjëherë pas mbërritjes në vend, duke pasur parasysh se aktualisht procedura e rregullt mundëson lëshimin e dokumenteve brenda afateve të shkurtra.
Orari i ri i punës
Që nga 18 shkurti 2025, njësitë për punë administrative pranë Departamentit për Çështje Civile të MPB-së punojnë sipas orarit të ri.
Njësia për Çështje Administrative në Shkup dhe Njësia për Çështje Administrative në Tetovë, nga e hëna deri të premten, punojnë në dy ndërrime, nga 07:30 deri në 19:30.
Njësitë për çështje administrative në Manastir, Veles, Kumanovë, Ohër, Strumicë dhe Shtip punojnë nga e hëna deri të premten, nga 08:00 deri në 18:00. I njëjti orar vlen edhe për njësitë përkatëse në Prilep, Kavadar, Kërçovë, Strugë, Gostivar dhe Koçan.
Në njësitë e tjera rajonale, orari i punës është nga 08:00 deri në 16:00.
Në Shkup, në objektin e RTVM-së, pak më shumë se një vit më parë u vu në përdorim pjesa e rikonstruktuar e Departamentit për Çështje Administrative. Në atë kohë, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se nuk do të kishte më kaos dhe rrëmujë, si dhe qytetarë që do të ndiheshin të cenuar në dinjitetin e tyre gjatë marrjes së dokumenteve personale apo shërbimeve të tjera.
Sipas Toshkovskit, qëllimi i rikonstruksionit ishte që qytetarët të kenë shërbime të shpejta dhe efikase, të kursejnë kohë dhe të marrin shërbime në mënyrë dinjitoze.
Me rikonstruksionin janë përfshirë 20 kabina për fotografim, të cilat kryejnë disa funksione dhe ofrojnë shërbime të ndryshme. Gjithashtu është rikonstruktuar salla e madhe e sporteleve, ku qytetarët mund të kryejnë procedurat për pasaporta me procedurë të rregullt dhe urgjente, letërnjoftime me procedurë urgjente, leje drejtimi, certifikata të shtetësisë, si dhe procedura të tjera që lidhen me shtetësinë, ndryshimin e emrit dhe shërbimet për automjete.
