Reformat në arsim në vendin tonë tash e tri dekada ngecin për vetëm një arsye, sepse nuk nisen me kohë dhe në afat të gjatë, vlerëson veterani i arsimit Xheladin Murati. Ai rikujton se deri më tani janë ndryshuar më shumë se 20 ministra të arsimit, por çdo reformë ka qenë e atypëratyshme, nuk kanë koncept se është arsimi bashkëkohor, andaj edhe nuk ka pasur rezultate.
Profesor Murati theksoi edhe një shqetësim, atë të çantave të rënda të nxënësve, që po ua deformojnë shtyllën kurrizore.
Kreu i komunës së Tetovës, që ishte i pranishëm në konferencën shkencore për reformat në arsim të organizuar nga shoqata e pedagogëve të Tetovës, foli për mungesën e librave nëpër shkollat fillore dhe të mesme si një nga problemet kyç me të cilin përballet arsimi në Tetovë.
Në këtë konferencë u fol edhe për statusin e mësuesit në ditën e tij, e cila sipas kreut të shoqatës, është nën çdo nivel, si në aspektin e punës po ashtu edhe në aspektin e pagesës që bëhet ndaj arsimtarit.
