Tetë dosje me parregullsi të dyshuara në lidhje me operacionet kardiokirurgjike janë proceduar te komisioni i brendshëm i ekspertëve mjekësorë, juristë dhe ekonomistë nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas Ministrit Azir Aliu duhet të përcaktohen faktet dhe të veprojë në bazë të provave mjekësore, sipas standardeve ndërkombëtare dhe rregullave të sakta metodologjike. Qytetarët duan dhe duhet të jenë të sigurt se kur kërkojnë shërbime shëndetësore, t’i marrin ato bazuar në nevojën reale dhe provat mjekësore, dhe jo në bazë të vlerësimeve me çmim të sheshtë ose motiveve korruptive, tha Aliu.
“Dua t’ju informoj se dosjet mjekësore për tetë raste janë dorëzuar në Komisionin e Brendshëm. Komisioni do t’i përpunojë të gjitha në detaje, me qëllim përcaktimin e së vërtetës bazuar në faktet mjekësore. Komisioni do të mblidhet nesër dhe këto dosje do të jenë rastet e para mbi të cilat do të veprojë. Në të njëjtën kohë, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme nga ekspertët e Dhomës së Mjekëve”, tha Aliu.
Aliu shtoi se mungesa e stafit ka sjell deri të kjo mbingarkesë dhe presin zgjidhje me Klinikën kardikirurgjike nga Sllovenia për të shkëmbyer personelin për shkak se në Shkup është i limituara numri i ndërhyrjeve kirurgjike, pasi kur ka kardiologë mungojnë anesteziologët dhe pamundësohen operimet.
“Ne sot patëm një takim me drejtorin e kardiokirurgjisë, po gjithashtu edhe me atë slloven që është në Maqedoni që të bëjmë një memorandum dypalësh brenda dy shteteve me qëllim që të bëjmë mobilitet të mjekëve dhe motrave medicinale. Kjo do të zvogëloj presionin e kuadrit profesional në kardiokirurgji por do të jetë një mundësi e mirë për të mësuar teknika të reja të punës”, tha më tej Aliu.
Kjo çështje u ngrit pasi doktori Sashko Kedev tha se ka operacione kardiake që janë kryer pa nevojë.
Këto dyshime të denoncuara nga vet Klinika Kardiokirurgjike, kanë bërë që javën së kaluar Ministria e Shëndetësisë të ngre komision të posaçëm për të analizuar të dhënat e ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiovaskulare në periudhën nga janari 2022 deri në gusht 2025 në institucionet private dhe publike.
Ministri Aliu po ashtu doli me thirrje te të gjithë pacientët që të denoncojnë rastet e dyshimta.
Nesër pritet që ky komision të filloj me shqyrtimin e dosjeve një nga një, pas çka pritet të dorëzohen në organet e prokurorisë të shtetit për hetim të mëtutjeshëm, nëse eventualisht ka vepra penale.