A do të mbeten Limani dhe Fetai pjesë e Qeverisë? Mickoski: Do të flasim në maj-qershor

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk tregoi nëse Fatmir Limani do të vazhdojë të mbetet ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, e as nëse Arben Fetai do të vazhdojë të mbetet zëvendëskryeministër për Politika dhe Sundim të Mirë, përcjell TV21. Kryeministri tha se kjo do të vendoset gjatë rikonstruimit të paralajmëruar në maj-qershor.

“Kemi paralajmëruar se aty diku nga muaji maj-qershor do të kemi rikonstruim të qeverisë dhe nënkuptohet që shumë nga pyetjet gjatë dhe para se të ndodhë ai rikonstruim do të vendosen në tavolinë dhe do të flasim”, tha Mikcoski.

I pyetur nëse po shqyrtohet mundësia që Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës të bëhet pjesë e qeverisë, Mickoski tha:

“Si koalicion kemi bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt dhe për momentin nuk shoh hapësirë për bisedime-marrëveshje për koalicion me subjekte të tjera politike, sepse do ta përsëris: Fytyrën e ruani gjithë jetën, ndërsa e humbisni vetëm një herë!”, theksoi Mickoski.