Nga nesër nuk do të vlejë më kufizimi i marzheve dhe çmimet e ngrira për më shumë se 1.000 produkte ushqimore bazë. A do të përballen qytetarët me një tjetër goditje të çmimeve apo tregtarët e kanë mësuar leksionin nga Qeveria, do të shihet në ditët në vijim, kur çmimet e reja do të vendosen në markete. Nga rrjetet e mëdha të marketeve nuk komentojnë publikisht. Në bisedë joformale ata thonë se gjithçka do të varet nga çmimoret që do t’ua ofrojnë furnizuesit, pasi që në markete marzhet nuk kanë qenë të mëdha. Megjithatë, thonë se ato marzhe që ishin të kufizuara për disa produkte luksoze, do t’i rikthejnë në nivelet normale. Nga Lidhja e Odave ekonomike nuk presin rritje të madhe të çmimeve, por theksojnë se gjithçka do të varet nga kalkulimet e secilës kompani.

“Çdo kompani do të bëjë analiza të veta të brendshme, do ta rishikojë punën e saj interne, do t’i shikojë shpenzimet dhe në bazë të kësaj nevojitet që të vërtetohen çmimet adekuate. Vlerësoj se nuk do të ketë ndonjë rritje të konsiderueshme të çmimeve, përkatësisht se do të ketë ndonjë stabilizim të afërt, po nuk jam i sigurt që përsëri të them dhe të pohoj për ndonjë subjekt individual juridik që punon”, u shpreh Goran Gjorgjievski, nënkryetar i LOE.

Edhe pse çmimet e bursës u stabilizuan në nivel më të lartë sesa në periudhën kur u sollën masat qeveritare, si rreziqe kryesore për rritje të re të çmimeve theksohen mungesa e fuqisë punëtore dhe rritja e pagave.

“Kemi edhe faktorë tjetër serioz që quhet resurse njerëzore…që viteve të fundit në mënyrë radikale ka ndryshuar disa punë në lidhje me atë mungesë, kështu që këtu është momenti që ndikon më së shumti, në mënyrë potenciale do të ndikonte, d.m.th. në ngritjen e çmimeve, çmimeve finale të produkteve”, shtoi Gjorgjievski.

Nga Qeveria presin që tregtarët e kanë mësuar leksionin. Thonë se nëse nga dita e nesërme çmimet rriten, do të ketë masa të reja.

“Nëse ka nevojë do të vazhdojmë me masën, nëse nuk ka nevojë atëherë mbetet ekonomia e tregut që të rregullojë çmimet. Shpresoj se jemi mësuar nga e kaluara, të gjithë ata që marrin pjesë në zinxhirin e tregtisë, shpresoj se e mësuan leksionin se para së gjithash duhet të jenë qytetarët dhe mbrojtja e standardit jetësor”, sqaroi Marjan Risteski, zv. Ministër për Ekonomi.

Qeveria në shkurt miratoi dy masa në përpjekje për të frenuar çmimet e ushqimit. Me njërën prej tyre u kufizuan marzhat nga 5 deri në 15% për 102 grupeve të produktesh, ndërsa me masën tjetër u ngrinë çmimet për 8 grupeve të produkteve. Këto masa kishin për qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga goditjet e çmimeve gjatë festave të Ramazanit dhe Pashkëve.