Tema e mungesës së barnave për pacientët me kancer u fol në panelin e organizuar nga VMRO-DPMNE që e udhëhoqi Rashela Mizrahi, që ishte kryetare e Komisionit Hetimor për skandalin në Klinikën e Onkologjisë në shtator të 2023-tës. Ajo kritikoi qeverisjen e kaluar, e cila, siç thotë ajo, jo vetëm që e futi Klinikën në kaos, por edhe se për ta fitimi ishte më i rëndësishëm se jeta e qytetarëve.

“Kur nuk keni analiza, në fund keni kaos, padyshim kishte përfitime të cilat ishin më të rëndësishme se jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Deri tani, mund të konstatojmë se sistemi ishte në kaos të plotë, që çoi në kolaps dhe besuam se ky kolaps nuk ishte vetëm në Klinikën e Onkologjisë, por në të gjithë sistemin shëndetësor”, u shpreh Rashella Mizrahi, VMRO-DPMNE.

Por Belkisa Zeqiri nga LSDM thotë se pushteti në vend që të marrë përgjegjësi dhe menjëherë ta zgjidhë problemin, ata kanë arsyetime dhe se për paaftësinë e tyre akuzojnë të tjerët. Nga kjo parti vazhdojnë të pohojnë se për mungesën e barnave fajin e kanë Stojkovski, Klekovski dhe Taravari.

“Përgjegjësia për golgotën nëpër të cilën kalojnë pacientët onkologjikë qëndron te pushteti për shkak të planifikimit dhe financimit të papërgjegjshëm dhe të vonuar të furnizimeve publike për këto barna. Për pacientët të cilët tani vuajnë dhe e rrezikojnë jetën e tyre, përgjegjësinë e kanë drejtori i Klinikës onkologjike, drejtori i Fondit shëndetësor dhe ministri Taravari. Andaj duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Belkisa Zeqiri, LSDM.

Kërkesës së LSDM-së për dorëheqje të drejtorit të Fondit shëndetësor, u përgjigj pikërisht Klekovski i cili tha se kërkesat e këtilla të opozitës janë të pabaza për shkak se po punohet për tejkalimin e problemit me mungesën e barnave në Onkologji.