David Raya ishte përzgjedhur nga Spanja, për të dalë në konferencën për shtyp, para sfidës së parë në Botëror, atë ndaj Cape Verde, e cila do të luhet të hënën.

Portieri i Arsenaliut iu përgjigj pyetjeve të shumta të gazetarëve, por dy prej tyre ishin më pikantet të themi.

E para, Raya u pyet nëse e kishte menduar ndonjëherë të luante për Anglinë (duke qenë se karrierën e ka nisur pikërisht në Angli, që në moshë të vogël).

“Kjo as që më ka shkuar ndërmend. Ndihem spanjoll dhe gjithmonë kam dashur të përfaqësoj Spanjën. Nuk do të ndihesha sikur po përfaqësoja Anglinë. Do të ndihesha si i huaj”, tha Raya.

Pyetja e dytë ishte e zakonshmja se kush do të jetë portieri titullar i Spanjës në këtë Botëror dhe për rivalitetin e tij me Unai Simon, por edhe me Joan Garcia.

“Mendoj se gjithmonë ka pasur konkurrencë të fortë, veçanërisht brenda ekipit kombëtar spanjoll me portierët që kemi pasur. Ne jemi të gjithë aty për të ndihmuar ekipin, dhe kushdo që zgjidhet të luajë ndeshjen e parë, të dytë ose të tretë, ose gjatë gjithë turneut, do të bëjë më të mirën e tij. Ata që nuk janë në formacionin titullar do të ofrojnë mbështetjen e tyre nga tribunat, siç kemi bërë gjithmonë”, u përgjigj Raya.

The post A ke menduar ndonjëherë të luash për Anglinë? David Raya “shtang” gazetarin me përgjigjen e tij appeared first on Telesport.