Kuvendi zgjodhi Adem Çuçulin si kryetar të ri të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK). Nga gjithsej 82 deputetë që votuan, Çuçuli mori mbështetje unanime me 82 vota pro.
Deputeti Gjorgjia Sajkoski nga VMRO-DPMNE, duke i ftuar kolegët të votojnë për kandidatin, theksoi se “Çuçul vërtet mund t’i forcojë kapacitetet dhe reputacionin e KShPK-së”.
Çuçuli është jurist i diplomuar, me provimin e jurisprudencës të kaluar, dhe aktualisht shërben si sekretar i përgjithshëm i Komisionit, ku punon prej 19 vitesh. Ai mori 96,5 pikë, vlerësimin më të lartë nga Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve. Sipas vlerësimit, ai ka treguar përvojë të rëndësishme në parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, si dhe vizion të qartë me plan konkret për zhvillimin e institucionit.
Konkursi për zgjedhjen e kryetarit të ri ishte shpallur gjatë verës, por procedura u ndërpre për shkak të zgjedhjeve lokale. Nga 13 kandidatë të paraqitur, në listën e ngushtë u përzgjodhën 10.
Çuçuli vjen në vend të Tatjana Dimitrovskës, e cila dha dorëheqje pas akuzave në rastin “Aditiv” për zbulim të sekretit zyrtar dhe falsifikim kompjuterik.
Para këtij votimi, Kuvendi miratoi edhe përbërjen e re të Këshillit Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore, duke i emëruar: Ana Trombeva Gavrillovska, Marko Spasov, Murat Aliun, Berton Sulejmanin, Agim Hazirin dhe Nikica Mojsoska Bllazhevski. Po ashtu u mor vendim për shpalljen e një konkursi publik për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Seanca vazhdoi me debatin për propozimin për themelimin e një Komisioni Hetimor, i cili do të shqyrtojë rrethanat e veprimit të institucioneve në tragjeditë dhe aksidentet e ndodhura në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
