Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, në emisionin Click Plus në TV21, ka folur për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar atë si të paplotë dhe pa mekanizma thelbësorë.
Sipas tij, ligji në fjalë është hartuar nga Tanja Karakamisheva dhe nuk përmban kuota etnike, të cilat, siç theksoi, janë thelbësore për garantimin e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve.
“Ligjin e kemi analizuar në BDI. Ky ligj është i Karakamishevës dhe nuk përmban kuota etnike. Mekanizmi që e përcjell përfaqësimin e drejtë, siç ishte balancuesi, mungon plotësisht”, deklaroi Ademi.
Ai u ndal edhe te ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, duke bërë të ditur se në Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut janë dorëzuar 13 iniciativa për kontestimin e tij, me qëllim shfuqizimin e plotë.
Ademi shtoi se janë paraparë edhe ndryshime konkrete në disa nene të ligjit, të cilat sipas tij cenojnë funksionimin aktual të përdorimit të gjuhës shqipe.
Në vijim, ai kritikoi ashpër koalicionin VLEN, duke theksuar se premtimet për ndryshime kushtetuese dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve kanë mbetur të parealizuara.
“A thanë se sapo të hynin në Qeveri do të ndryshonin Kushtetutën dhe presidentin do ta zgjidhnin në Kuvend. Jo vetëm që nuk e bënë, por as që flasin për këtë çështje. Premtuan heqjen e formulimit 20% për gjuhën shqipe, nuk e bënë. Thanë se nuk do të ketë Qeveri pa ndryshime kushtetuese për integrimin në BE, por sot as që guxojnë të flasin për këtë”, u shpreh Ademi.
Ai ngriti edhe pyetjen për realizimin e një tjetër premtimi, atë për themelimin e Akademisë së Shkencave Shqiptare.
“Ku është Akademia e Shkencave Shqiptare? Jo vetëm kjo, por për secilin premtim – asgjë nuk është realizuar”, përfundoi Ademi.
