Një aeroplan njëmotorësh u detyrua të bëjë ulje emergjente në një rrugë të frekuentuar në shtetin amerikan të Georgias, duke goditur tre automjete. Si pasojë e aksidentit, dy persona u plagosën lehtë.
Aeroplani Hawker Beechcraft BE-36 u ul të hënën në Browns Bridge Road në Gainesville, rreth 80 kilometra në verilindje të Atlantës, për shkak të problemeve të raportuara me motorin, njoftuan Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe policia e Gainesvillet.
“E humbëm motorin gjatë ngritjes nga Gainesville”, tha piloti Thomas Rogers për televizionin WAGA-TV dhe shtoi se “u përpoqëm të ktheheshim, bëmë gjithçka sipas rregullave, por e kuptuam se nuk do të mund të ktheheshim për shkak të distancës, ndaj vendosëm të uleshim në rrugë”.
Zyrtarët thanë se është e pabesueshme që askush nuk humbi jetën në kushte të tilla uljeje.
Aeroplani u përplas me tre automjete, ndërsa rezervuari i karburantit u shkëput dhe përfundoi brenda njërit prej tyre, tha kapiteni i policisë së Gainesvillet, Kevin Holbrook.
Dy persona u dërguan në spital me lëndime të lehta, shtoi ai.
“Fakti që arritën të ulen mes qindra automjeteve dhe goditën vetëm tre makina, pa asnjë kontakt me linjat e energjisë elektrike, është vërtet i jashtëzakonshëm. Është e pabesueshme që askush nuk u plagos rëndë dhe që askush nuk humbi jetën”, tha Holbrook, duke theksuar se bëhet fjalë për një nga arteriet kryesore të trafikut në verilindje të Georgias.
The post Aeroplani i vogël u detyrua të ulej në një rrugë në SHBA – aksidentoi tre automjete appeared first on Alsat.
