Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u është drejtuar shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe vendbanimet e tjera, duke u bërë thirrje të ushtrojnë të drejtën e votës dhe të marrin pjesë sa më masivisht në procesin zgjedhor.

“Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë ka rëndësi të veçantë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, gjuhësore dhe qytetare, si dhe për ngritjen e shqetësimeve lidhur me diskriminimin, padrejtësitë dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këto treva. Në këto zgjedhje, forcat politike shqiptare paraqiten të bashkuara në listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me numër 17”, u shpreh kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Edhe koalicioni VLEN u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës që të dalin masivisht në votime, duke e cilësuar 25 tetorin si një mundësi për të forcuar përfaqësimin shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Apeli i VLEN-it u drejtohet veçanërisht shqiptarëve të Luginës që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Bashkimi tashmë është realitet. Tani është koha që ky bashkim të dëshmohet me votë, me mobilizim dhe me përfaqësim sa më të madh në Parlamentin e Serbisë. Apelojmë veçanërisht te shqiptarët e Luginës që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, të udhëtojnë drejt vendvotimeve të tyre dhe ta ushtrojnë të drejtën e votës”, thonë nga VLEN.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi vijnë në një periudhë tensionesh të larta politike dhe protestash të vazhdueshme kundër qeverisë, të cilat kanë shtuar presionin për ndryshime politike në vend. Zgjedhjet u shpallën pas propozimit të qeverisë për shpërndarjen e Kuvendit, në një klimë protestash të vazhdueshme të udhëhequra nga studentët pas tragjedisë në Novi Sad dhe kërkesash për përgjegjësi e luftë kundër korrupsionit.