Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një shkrimi ka kujtuar ish-sekretarin e përgjithshëm të partisë, të ndjerin Abdilaqim Ademi, përcjell TV21. Ahmeti thotë se pikërisht në ditëlindjen e Ademit, gjegjësisht gjatë ditës së djeshme, partia mbajti Kongresin e pestë, ndërsa thekson se falë kontributit të njerëzve si Abdilaqim Ademi, BDI “mbetet një parti e pathyeshme”.

“Dje, në ditën kur organizata jonë politike mbajti Kongresin e Pestë, një ditë kjo e rëndësishme për të ardhmen e Bashkimit Demokratik për Integrim, ishte dita e ditëlindjes së njeriut që dha një kontribut të pashoq në konsolidimin dhe forcimin e partisë sonë, ish-Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi. I dashur mik, Abdilaqim, sot do të mbushje 56 vite jetë. Jeta jote, pa asnjë dyshim, ishte një jetë e bujshme, e mbushur me angazhim, përkushtim dhe ngjarje të mëdha, gjithmonë besnik ndaj idealeve tona të përbashkëta dhe në shërbim të plotë e pa ekuivoke të BDI-së. Në ditëlindjen Tënde, partia jote mbajti Kongresin e Pestë dhe vazhdon të mbetet një parti e pathyeshme, pavarësisht goditjeve të paskrupullta nga të gjitha anët. BDI vazhdon rrugëtimin e saj me përgjegjësi historike dhe vizion të qartë për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ditëlindjet e Tua, bashkë me kujtimin për Ty, janë hallka që lidhet natyrshëm me sukseset historike të BDI-së dhe me rrugëtimin e popullit shqiptar drejt dinjitetit, barazisë dhe perspektivës evropiane! Nuk të harrojnë shokët dhe miqtë, nuk të harrojnë bashkëveprimtarët. Nuk të harroj as unë, miku yt. Lavdi jetës dhe veprës sate!”, ka shkruar Ahmeti.