Gjermania po shqyrton rreth 30 sisteme të Inteligjencës Artificiale për përdorim në operacionet ushtarake, me synimin për të përshpejtuar vendimmarrjen në fushëbetejë.
Viceadmirali Thomas Daum, drejtues i Komandës Kibernetike të ushtrisë gjermane, tha se një prototip mund të jetë gati në tremujorin e dytë të vitit 2027, ndërsa zbatimi i plotë i teknologjisë pritet të nisë në vitin 2028.
Sipas Reuters, lufta në Ukrainë ka treguar rëndësinë në rritje të dronëve dhe satelitëve, të cilët gjenerojnë dhe mbledhin sasi të mëdha të të dhënave.
Inteligjenca Artificiale pritet të ndihmojë në përpunimin dhe analizimin e këtyre informacioneve shumë më shpejt se operatorët njerëzorë.
Shumica e sistemeve që po vlerësohen janë zhvilluar nga kompani gjermane, ndërsa në garë është edhe kompania franceze ChapsVision.
Ndërkohë, Berlini ka vendosur për momentin të mos blejë Maven Smart System, platformën amerikane të zhvilluar nga Palantir Technologies.
Platforma përdoret nga SHBA-ja, NATO-ja dhe disa vende aleate për analizimin e të dhënave nga fushëbeteja.
Vendimi gjerman lidhet edhe me shqetësimet për varësinë teknologjike nga SHBA-ja, si dhe me çështjet e sovranitetit dhe kontrollit mbi të dhënat.
