Një operacion i përbashkët i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) ka çuar në zbulimin e administratorit të një tregu ilegal në internet, përmes të cilit shiteshin të dhëna personale të vjedhura, kredenciale për qasje në llogari dhe mjete për kryerjen e krimeve kibernetike.
Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB-së ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë kundër E.A. (20), nga fshati Reçicë e Madhe, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale „mashtrim kompjuterik“, „keqpërdorim i të dhënave personale“ dhe „prodhim dhe shpërndarje e pornografisë së fëmijëve“.
Sipas njoftimit të MPB-së, hetimi ka nisur pas informacioneve të siguruara nga FBI-ja dhe ka vijuar përmes bashkëpunimit të koordinuar ndërmjet dy institucioneve, me qëllim zbulimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale që lidhen me platformën ilegale „OLVX“.
Provat e siguruara tregojnë se i dyshuari, gjatë periudhës 2023–2025, ka administruar domene dhe faqe interneti të lidhura me këtë platformë, e cila shërbente si treg për shitjen e të dhënave digjitale të vjedhura, programeve kompjuterike dhe shërbimeve të përdorura për veprimtari kriminale.
Sipas autoriteteve, në platformë vepronin kryesisht kriminelë kibernetikë, të cilët blinin dhe shisnin të dhëna personale dhe kredenciale për qasje në llogari përdoruesish dhe rrjete kompjuterike. Gjatë funksionimit të saj, në platformë ishin ofruar mbi 1.500 kredenciale të vjedhura për qasje.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se, gjatë periudhës 2025–2026, i dyshuari ka administruar një grup ilegal në aplikacionin „Telegram“, me emrin „ONEMILI“. Përmes këtij grupi ofroheshin mjete softuerike dhe shërbime për kryerjen e krimeve kompjuterike, përfshirë mashtrime që lidhen me kthimin e paligjshëm të mjeteve financiare.
MPB-ja njofton se janë siguruar edhe prova që, përmes aplikacionit „Telegram“, i dyshuari ka siguruar dhe poseduar për përdorim personal materiale që përmbajnë keqpërdorim seksual të fëmijëve.
Sipas MPB-së, ky është operacioni i parë i përbashkët dhe i koordinuar në fushën e krimit kibernetik ndërmjet MPB-së dhe FBI-së. Operacioni vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për luftimin e krimit të organizuar kompjuterik.
Ministria e Punëve të Brendshme thekson se do të vazhdojë angazhimin për luftimin e krimit kibernetik, mbrojtjen e të dhënave personale dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve në hapësirën digjitale.
