Maqedonia po digjet – vendi ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. Pritet ndihmë nga BE-ja për përballimin e zjarreve, veçanërisht nga shtetet fqinje që gjithashtu përballen me flakët. Më urgjente është ndihma ajrore. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, thotë se ka mjaft forca në tokë, por ato janë të rraskapitura nga përballja e përditshme me zjarret.

Sot janë regjistruar 16 zjarre, prej të cilëve 8 janë ende aktivë, 6 janë nën kontroll dhe 2 janë shuar. Më i madhi dhe më i rrezikshmi është zjarri në malin Goten, ku zjarrfikësit po përballen me ditë të tëra. Ndërhyrjet bëhen nga ajri dhe toka, por ekziston frikë se mund të përhapet në drejtim të fshatrave.

Një pjesëtar i Armatës është evakuuar me sukses nga flakët me ndihmën e helikopterit policor Augusta Bell 212.

Lufta me zjarret vazhdon edhe në: Makedonska Kamenica, Kriva Pallankë, Makedonski Brod, Kumanovë,
Zhelinë, Prilep

Për shkak të një zjarri, në orët e pasdites u ndërpre qarkullimi në pikën kufitare Mexhitlia pranë Manastirit.
Deri tani janë arrestuar 27 persona, dhe janë paraqitur 19 kallëzime penale të lidhura me shkaktimin e zjarreve.