Aleanca për Shqiptarët – krahu i Taravarit, alarmon për një situatë në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Dibër. Sipas partisë, MPB po përgatit ndryshime ligjore që degradojnë Njësinë për Punë të Brendshme në Dibër, duke e ulur në njësi të kategorisë së dytë dhe duke ia marrë kompetencat dhe komandën, që do të kalojë nën Ohër.
“Njësia për Punë të Brendshme-Dibër degradohet dhe kalon në njësi të kategorisë së dytë, duke humbur kompetencat thelbësore dhe strukturën e saj komanduese. Me këtë vendim, të gjitha kompetencat dhe organi komandues kalojnë nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, ndërsa në Dibër nuk parashihet më:
-kryeshef i policisë,
-kryeshef i njësisë antikrim,
-zëvendëskomandant,
-as komandant i pikës kufitare”, thotë ASH.
Por zëvendësministri i brendshëm Astri Iseni i hedh poshtë këto pretendime. Ai për TV21 tha se ende asgjë nuk është definitive.
“Jemi në fazë të sistematizimit te ri dhe asgjë nuk është definitive, vetëm se janë propozime. Këto informata janë gjysmake. Do të njoftohet opinioni për sistematizimin e ri i cili akoma s’ka kaluar as në ministri, e pastaj duhet të kaloj në Qeveri. Herët është të diskutohet”, deklaroi Astrit Iseni.
Ndryhe, Aleanca për shqiptaret paralajmëron se kjo cenon sigurinë dhe barazinë në trajtim dhe kërkon nga faktorët politikë dhe institucionalë që të mos lejojnë këtë “ndëshkim” ndaj Dibrës, të cilën e cilëson si rajon strategjik kufitar.
