Në Negotinë të Pollogut, në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrjen e shumë grave shqiptare, është shënuar manifestimi kushtuar festave të Nëntorit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ndarë momente nga ky aktivitet, i organizuar nga Forumi i Gruas dhe Sekretariati për Mundësi të Barabarta pranë BDI-së.

Ahmeti ka theksuar rëndësinë e gruas shqiptare në ruajtjen e familjes, qëndresës dhe identitetit kombëtar, duke vlerësuar kontributin e saj ndër breza në arsim, shoqëri dhe jetën publike.

“Nëntori na kujton rrënjët tona, sakrificat e brezave dhe përgjegjësinë për ta ruajtur e kultivuar trashëgiminë tonë kombëtare”, ka shkruar Ahmeti.

Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për organizatoret dhe të gjitha pjesëmarrëset, duke përcjellë urimet për festat e Nëntorit.