Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Gjatë kontrollit të jashtëzakonshëm që autoritetet po u bëjnë kompanive për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, 6 nga 13 kompani të kontrolluara deri tani, mbetën pa licencën e punës. Parregullsi gjatë ushtrimit të veprimtarisë është konstatuar tek “Alfafarm” e cila ishte e lidhur me kontrabandë të marijuanës në Serbi, “Green Life”, “CBD Medplant”, “Life Plant”, “Atafarm” dhe “Kanabidois”. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu nuk tregon se cili ministër ua ka dhënë këtyre kompanive licencat.
“Vendimet e qeverisë bazohen në konstatime nga kontrollet e realizuara në terren ku janë hasur këto parregullsi: magazinimi i papërshtatshëm i lules së thatë, e cila është gjetur e hapur pa vula përkatëse dhe pa u ruajtur në kuti kartoni sipas rregullave me ligj, mosdorëzimi i njoftimeve pran komisionit për prodhim për korrje dhe shitblerje e lules së thatë, mosdorëzimi i dokumentacionit dhe kontratave të plota që lidhen me shitjen dhe transferimin e lules së thatë, mos përputhje të sasive të regjistruara dhe asaj faktike”, deklaroi Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Për shkak të mangësive dhe mundësisë për keqpërdorime të konstatuara në rregullativën ekzistuese ligjore, Aliu paralajmëroi një zgjidhje të re ligjore, e cila do të miratohet pasi të përfundojnë kontrollet në të gjitha 43 subjektet juridike. /Alsat.mk
The post Aliu: Gjashtë kompani për kultivimin e kanabisit mbetën pa licenca appeared first on Alsat.
