Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Pavarësisht digjitalizimit të sistemit për terminë, pacientët që presin për kontrolle apo ndërhyrje kirurgjikale ankohen se humbin radhën për shkak të lidhjeve të mjekëve me pacientët. Pacientët madje dyshojnë edhe për keqpërdorime financiare nga ana e stafit mjekësor.

“Për listën e pritjes ende jemi në fazë të analizimit, kemi njohuri nga pacientët por nuk mund të flas publikisht pasi nuk i kemi të vërtetuara si duhet , por ka raste të tilla të keqpërdorimeve, p.sh të llojit që pacienti shkon për tu operuar por kthehet mbrapa pasi  pasqyra  e gjakut nuk është e mirë që të operohet, më pas pacientët bën pasqyrë të gjakut në laboratori dhe rezulton se gjithçka është në rregull. Duhet patjetër ti analizojmë dhe ti detektojmë këto lloj keqpërdorime”, deklaroi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.

Në takim me gazetarët, me rastin e njëvjetorit të mandatit të tij, Aliu foli kryesisht për keqpërdorimet në sistemin shëndetësor. Një nga rastet që veçoi ishte edhe ai i Komisionit për Kujdes ndaj Tjetrit. Edhe pse shumë pacientë gëzojnë të drejtën e invaliditetit të përhershëm, ata vazhdojnë të thirren çdo gjashtë muaj ose një herë në vit për të përsëritur procedura administrative të panevojshme. Sipas ministrit, përveç vështirësive që kjo u shkakton pacientëve dhe familjarëve të tyre, kjo praktikë i kushton buxhetit të shtetit rreth 2 milionë euro në vit. Zgjidhjen e sheh përmes komisioneve.

“Me kërkesë timen që të ndryshojmë ligjin më informuan se ligjin nuk duhet ta ndryshojmë pasi ligji e mundëson për invaliditet të përhershëm por duhet të punohet më shumë me komisionet. Në bazë të analizave tona diku 1.4 milionë denarë shteti harxhon mjete shtesë për faktin se pa pasur nevojë pacientët që kanë nevojë për invaliditet të përhershëm  i detyrojnë disa herë të shkojnë në institucione shëndetësore dhe kjo përveç që e dëmton shtetin nga aspekti njerëzor gjithashtu edhe nga aspekti financiar në kemi harxhime shtesë”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.

Aliu si ministër i shëndetësisë ka premtuar se shërbimet mjekësore do të kalojnë në një sistem plotësisht digjital, sikurse dokumentacioni mjekësore, referimet, dhe recetat. Deri më tani vetëm recetat realizohen në mënyrë digjitale./Alsat.mk.

The post Aliu: Ka dyshime për keqpërdorime në listat e pritjes për operacione appeared first on Alsat.