Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Një modul i ri elektronik për ndërhyrjet kirurgjikale u prezantua sot nga Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, me premtimin se listat e pritjes do të monitorohen dhe se pacientët do të trajtohen sipas parimit “kush vjen i pari, shërbehet i pari”. Por, vetë ministri pranoi se për vite me radhë ky parim nuk ka funksionuar, pasi listat e pritjes janë mbajtur në fletore, jashtë çdo sistemi dhe kontrolli. Por kur u pyet se cilat klinika janë përgjegjëse për radhët e gjata të pritjes, Aliu shmangu detajet, duke thënë se fillimisht do të “sqarohet” me drejtorët e klinikave.

“Unë ende nuk i kam takuar drejtorët do të flasim me secilin drejtor veçmas, me qëllim që ti analizojmë pse ka ndodhur ky disbalanc ndërmjet realizimit dhe krijimit të listës së pritjes, kështu që nuk do të kisha dashur të jap detaje në nivel të institucioneve dhe të përmend emra sot, për shkak se uroj që të ulemi bashkë me drejtorët dhe të shohim se pse është ky disbalancë”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.

Praktika e deritanishme tregon se udhëzimet për operacion nuk janë lëshuar menjëherë pas nevojës, por vetëm para ndërhyrjes.

“Rezultatet e bëra analizë për vitin 2025 tregojnë qartë një dallim të konsiderueshëm ndërmjet numrit të udhëzimeve të realizuara i cili është 58 mijë e 648 dhe numri i operacioneve të realizuara i cili është 93 mijë e 510. Nga çka tregon mosrespektimin të detyrimit ligjor që e kanë institucionet për lëshimin e udhëzimit specifik për operacion”, u shpreh Azir Aliu, ministër i shëndetësisë. Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.

Sipas Aliut, ky sistem synon rritjen e transparencës, ndërsa listat e pritjes do të përditësohen çdo 24 orë. /Alsat.mk

The post Aliu: Listat e pacientëve që presin për ndërhyrje kirurgjike do të jenë publike appeared first on Alsat.