Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, gjatë vizitës së sotme në Gostivar njoftoi për realizimin e një projekti të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës në shëndetësi, me fokus të veçantë në repartin për nëna dhe fëmijë.

Ai theksoi se projektet e planifikuara tashmë po kalojnë nga letra në praktikë, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët. “Pra, atë që e kemi definuar në letër, sot e realizojmë në vepër. Realizimi i projekteve në shëndetësi është shumë i rëndësishëm dhe domethënës për çdo qytetar, pavarësisht ku jeton,” deklaroi Aliu.

Sipas tij, ky investim kap vlerën prej rreth 500 mijë dollarësh dhe po realizohet në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë shtetin gjerman dhe organizatën Project HOPE. Projekti përfshin katër qytete: Gostivar, Strugë, Veles dhe Strumicë, ku do të përmirësohen kushtet teknologjike në repartet përkatëse.

Aliu nënvizoi se qëllimi është adresimi i boshllëqeve teknologjike në institucionet shëndetësore dhe rritja e cilësisë së shërbimeve për pacientët më të ndjeshëm, si nënat dhe fëmijët.

“Bashkë me partnerët ndërkombëtarë po realizojmë këtë infrastrukturë teknologjike në një institucion shumë të rëndësishëm për qytetin e Gostivarit. Kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen,” shtoi ai, duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë.