Trajneri Massimiliano Allegri prezantoi në konferencën për shtyp ndeshjen e madhe të Serie A kundër ish-skuadrës së tij, Juventus-Milan: “Është një ndeshje e bukur. Për ne është e rëndësishme të bëjmë një hap përpara kundër një skuadre që do të luftojë për titull deri në fund. Duhet të jemi të zgjuar”.

A do të jetë një ndeshje speciale për ju?
Ka qenë një javë normale për mua. Nesër rëndësi ka ndeshja, ndjesitë janë natyrisht, pas 8 vitesh te Juve. Shpresoj të qëndroj edhe 8 vite te Milani. Nesër do të jetë ndeshje e rëndësishme kundër një skuadre që nuk ka humbur kurrë. Do të jetë një ndeshje e bukur për t’u luajtur.

A rrezikoni të gaboni stolat nesër?
Jo, sepse i kanë cilësuar mirë stolat në ‘Allianz Stadium’ (qesh). Për mua, të ulem në stol është gjithmonë emocion i madh. Ne duhet të qëndrojmë të fokusuar tek objektivi final; kthimi i Milanit në Champions. Mungojnë ende shumë ndeshje dhe pikë.

A dëshironi hakmarrje ndaj Juves?
Duhet ta falënderoj Juven. Kam pasur fatin të kaloj 4 vite te Milani dhe pastaj 8 vite te Juve. Kam njohur shumë njerëz. Nuk flitet për hakmarrjen time nesër, është një ndeshje e bukur.

Si janë Tomori dhe Leao?
Tomori është në dispozicion të plotë, kishte një shqetësim te adduktorët. Leao ka pasur një javë të mirë dhe po përmirësohet fizikisht. Kundër Napolit luajti më herët se pritej.

The post Allegri: Asnjë hakmarrje ndaj Juves, rëndësi ka rikthimi i Milanit në Champions appeared first on Telesport.