E kanë shkruar emrin e Max mbi rërë. Këtë herë, era e shkretëtirës nuk e ka zhdukur. Emri i Massimiliano Allegrit është kthyer sërish në qendër të bisedave të Arabisë Saudite, që kur vendos të investojë, di të jetë tejet bindëse.
Ish-trajneri i Juventusit, pas zgjidhjes me mirëkuptim të kontratës me klubin bardhezi, e cila shmangu konfliktin e gjatë ligjor, është në kërkim të një aventure të re. Edhe pse nuk ka nxitim të rikthehet në pankinë, muajt e pushimit kanë qenë të mjaftueshëm për të rigjetur energjinë pas tri viteve me tension të lartë në “Continassa”.
Ditët e fundit, interesimi ka ardhur nga Jeddah për të. Al-Ahli, një nga katër klubet e administruara nga fondi sovran PIF, ka paraqitur një ofertë prej të paktën 50 milionë eurosh për dy sezone (25 milionë në secilin). E njëjta shumë që Federata Saudite i kishte ofruar Roberto Mancinit për të marrë drejtimin e kombëtares, më shumë se dyfishi i asaj që Stefano Pioli përfiton si trajner i Al-Nassr.
Në Arabinë Saudite, politika, sporti dhe paratë janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Princi i Kurorës dhe kryeministri Mohammad bin Salman ka nisur planin “Vision 2030”, që synon të transformojë ekonominë e vendit, duke e shkëputur nga varësia ndaj naftës dhe rritur investimet në argëtim.
Në këtë kuadër, gjatë viteve të fundit janë afruar lojtarë të njohur nga Europa, janë organizuar Superkupat Italiane dhe Spanjolle, shto këtu evente si “Formula 1”, “Expo” dhe Kampionati Botëror i Futbollit 2034.
Për sauditët, një trajner me “palmares” të artë si Allegri është i rëndësishëm për ta forcuar më tej produktin e brendshëm futbollistik. Nuk është hera e parë që arabët trokasin në derën e Max-it, por këtë herë oferta e ka tunduar shumë më tepër, krahasuar me interesimin e West Ham, Al-Shabab dhe kombëtares belge, muaj më parë. Allegri pritet të japë përgjigjen përfundimtare pas kthimit të agjentit të tij, Giovanni Branchini, nga “Australian Open”.
Nëse marrëveshja realizohet, kontrata do të niste nga vera. Megjithatë, trajneri aktual, gjermani Matthias Jaissle, është në rrezik të shkarkohet për shkak të rezultateve të dobëta. Ekipi është i pesti në klasifikim, 14 pikë pas Al-Hilal dhe Al-Ittihad. Në Jeddah, rivaliteti mes Al-Ahli dhe Al-Ittihad krahasohet me derbin e Romës për pasionin e tifozëve.
Nëse Jaissle largohet para kohe, klubi mund t’ia besojë përkohësisht pankinën një tjetër italiani, ish-trajnerit të Udineses dhe Veronës, Gabriele Cioffi.
Ndërkohë, disa nga yjet kryesorë të skuadrës si Ibañez, Demiral, Gabri Veiga, Kessié, Mahrez dhe Firmino duket se janë të zhgënjyer me situatën aktuale dhe kanë kërcënuar të largohen në verë nëse nuk ka ndryshim të dukshëm teknik. Nëse Allegri pranon ofertën, ai do të përballet me sfidën e rigjallërimit të një klubi të dëshpëruar për suksese.
The post Allegri dhe tundimi arab, ja e vërteta mbi ofertën shokuese që ka marrë ish-trajneri i Juventusit appeared first on Telesport.

