
Më 30 nëntor do të mbahet ankandi i parë publik i bursës për shitjen e paketës kontrolluese të aksioneve të “Alta Banka Manastir”. Në shitje janë ofruar mbi 95 për qind e aksioneve, të cilat janë në pronësi të “Alta Banka” të Beogradit, ndërsa vlera fillestare e paketës arrin në 22,3 milionë euro, përcjell INA.
Sipas paralajmërimeve, procedura e shitjes duhet të përfundojë më së voni deri në mesin e dhjetorit, kur pritet që banka të marrë pronar të ri.
Çmimi fillestar është përcaktuar në bazë të lëvizjes së aksioneve në bursë gjatë gjashtë muajve të fundit dhe arrin në 3.777 denarë për një aksion.
Shitja do të zhvillohet sipas parimit “gjithçka ose asgjë”, që do të thotë se investitori i interesuar do të duhet të blejë të gjithë paketën e ofruar, e jo vetëm një pjesë të aksioneve.
Ekspertët e tregut të kapitalit presin që, nëse paraqitet një blerës në ankandin e parë, transaksioni dhe shlyerja e aksioneve të përfundojnë më së voni në javën e parë të dhjetorit.
Megjithatë, nëse në ankandin fillestar nuk ka blerës të interesuar, ekziston mundësia që çmimi të ulet gradualisht. Sipas llogaritjeve të ekspertëve, vlera e një aksioni mund të bjerë deri në rreth 2.230 denarë, çka do të nënkuptonte një çmim total dukshëm më të ulët për paketën kontrolluese.
